KreuCelebrity

Sara Jaupaj, gruaja pas kamerës që frymëzon edhe nuk ndalet kurrë!

 

Sara Jaupaj, gruaja pas kamerës që frymëzon edhe nuk ndalet

Nga Brunilda Gorovelli  

Teksa të rastis që Sara Jaupajn e takon në ambiente të ndryshme pune apo të përbashkët pune ajo që takon së pari është energjia që atë e karakterizon. Në botën pas kamerës, regjisorja Sara Jaupaj mban gjithmonë këtë energji, përkushtim dhe sinqeritet. Në këtë jetë të vrullshme, tepër sfiduese për të, kuptojmë që së fundmi zemra e saj është e qetë, teksa ka ekuilibruar jetën e saj profesionale, personale dhe dedikimin e kohës si një mama single te djali i saj. Në këtë rrëfim ekskluziv për “Bordo”, ajo flet pa filtra për jetën si regjisore, për sfidat dhe paragjykimet si një grua në një profesion që dominohet nga burrat, për dashurinë ndaj punës, por edhe për dashurinë ndaj vetes. Në një rrëfim të ndjerë, ajo ndan me ne emocionet e rrugëtimit të saj si nënë single, forcat që ka zbuluar te vetja pas divorcit dhe shpresat që ka për të ardhmen e djalit të saj. E sinqertë, e fortë dhe frymëzuese, Sara është një shembull i një gruaje që nuk kërkon të jetë perfekte, por e vërtetë.  

Sarë, si është puna jote e përditshme si regjisore?  

Puna ime e përditshme është shumë dinamike dhe plot energji. Kam një agjendë të qartë dhe të strukturuar, ku çdo orë ka rëndësinë e vet, por asnjë ditë nuk është monotone. Më pëlqen ritmi aktiv dhe fakti që gjithmonë ka diçka të re për të bërë. Është një profesion që më mban të gjallë dhe nuk do ta ndërroja për asgjë.  

Çfarë ke mësuar në gjithë këto vite punë pranë medias dhe showbiz-it?  

Të punosh në showbiz do të thotë të jesh pranë shumë personazheve që publiku i sheh çdo ditë në televizion. Kjo botë më ka mësuar diçka thelbësore: të gjithë njerëzit janë njësoj, të gjithë frymojnë njësoj. Përvoja në media më ka ndihmuar të dua veten time më shumë, të kem respekt për veten dhe të mos i shoh të tjerët si të paarritshëm. Në punën tonë, mënyra si ndihesh me veten është gjithçka sepse nëse nuk e do veten, të tjerët, sidomos në botën e televizionit, do të shohin si dikë të vogël, të pasigurt, që nuk beson në veten e vet. Kjo është arsyeja pse unë e dua këtë botë, sepse më ka mësuar të dua dhe të vlerësoj veten.  

Vështirësia më e madhe që has në punë si një profesioniste grua?  

Vështirësia më e madhe në punë, sidomos si grua në profesionin tim, është fakti që nuk ka shumë zonja në këtë fushë. Shumica e regjisorëve janë meshkuj, dhe përballja e parë shpesh është më e vështira. Njerëzit të shohin në pamje të parë dhe ndoshta të gjykojnë nga aparenca, derisa t’u kujtosh përvojën, punën dhe arritjet e tua. Vetëm atëherë kuptojnë se nuk je thjesht simpatike, por edhe shumë e aftë në atë që bën. Ju e dini që puna në televizion është kryesisht me burra, dhe të jesh në krye të një ekipi ku drejton shumë prej tyre nuk është e lehtë. Por unë e kam një pikë shumë të fortë: komunikimin. Kam mësuar t’i afrohem stafit tim me humor, me pozitivitet, t’i bëj të ndihen rehat. Dhe kur krijon harmoni, puna del më mirë, më natyrshëm dhe me shumë më pak stres.  

A je paragjykuar? Për çfarë je paragjykuar?  

Sigurisht që jam paragjykuar. Që në fillim, vetëm nga fakti se jam një femër që vishem, kujdesem për veten dhe e dua veten, siç e përmenda më lart. Televizioni është një botë ku paragjykimet ekzistojnë në shumë forma jo vetëm nga meshkujt, por edhe nga femrat. Megjithatë, unë besoj se kam ditur të dal mbi to. Kam qëndruar e fortë, e qetë dhe e përkushtuar ndaj asaj që dua të bëj. Sot, ndihem se jam aty ku dua të jem, sepse nuk lejoj që mendimet e të tjerëve të më përcaktojnë.  

 

Si është të punosh regjisore në dublime?  

Regjia në dublime është, në fakt, një nga punët që e kam dashur gjithmonë më shumë. E kam thënë shpesh që, nëse do të më duhej të zgjidhja një punë për t’u kthyer çdo ditë me dëshirën më të madhe, do të ishte pikërisht kjo. Unë vazhdoj ende të dubloj dokumentarë, të hedh zërin për filma vizatimorë dhe projekte për fëmijë, një botë e pastër dhe plot sinqeritet që më frymëzon çdo herë. Më bëhet shumë qejf kur njerëzit më thonë: “E kam dëgjuar zërin tënd në një kukull”, apo “Zëri yt më ka shoqëruar në një dokumentar”. Këto janë komplimentet më të bukura që mund të marrë një regjisor dublimi. Edhe vetë regjia ka një rol shumë interesant në këtë proces, sepse përfshin përshtatjen e aktorëve shqiptarë me karakteret e filmave të huaj. Kam patur fatin të punoj me aktorë të njohur e të dashur, si Ndriçim Xhepa, Petrit Malaj, Aneta Malaj, Rozi Kostani, Genc Fuga, Dritan Boriçi dhe shumë të tjerë. Për mua, kjo ka qenë një nga eksperiencat më të bukura dhe më të çmuara në karrierën time.  

Divorci nuk është i thjeshtë për të dy partnerët që vendosin të ndahen. Çfarë të mësoi ty divorci?  

Divorci më kujtoi se sa e fortë jam. Në fakt, nuk e dija. Gjithmonë më kishin përfolur si një vajzë e zgjuar dhe e shkathët, por asnjëherë nuk e kisha kuptuar sa forcë mbaja brenda vetes dhe sa shumë mund t’ia dilja edhe e vetme. Sigurisht që nuk ishte e lehtë, por me ndihmën e madhe të prindërve të mi, sot mund ta them me plot gojën: “Ja Dola”.  

Momenti më i vështirë në këtë proces, të cilin teksa e kujton të rrëqeth mishin?  

Momenti më i vështirë në këtë proces ishte të zbrisja me këmbë në tokë pas gjithçkaje që ndodhi, dhe të kuptoja se tashmë isha unë shtylla e shtëpisë. Duhej të punoja fort që djalit tim të mos i mungonte asgjë, por mbi të gjitha, duhej të kujdesesha që të isha mirë edhe unë emocionalisht, si nënë dhe si grua. Vetëm kështu mund të isha vërtet e fortë për të.  

Djali yt, si ka qenë në këtë periudhë, si e ka përjetuar?  

Djali e ka përballuar mirë, sepse ende nuk e ka kuptuar plotësisht çfarë ka ndodhur. Ai e ndien që të dy prindërit janë pranë tij dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne jemi të dy të pranishëm në jetën e tij dhe kujdesemi që të mos i mungojë dashuria, mbështetja dhe siguria që i duhen një fëmije.  

Bisedat që bën tani me të?  

Bisedat me djalin tani janë shumë të thjeshta. Ai ka filluar të flasë bukur dhe të kuptojë gjëra të rëndësishme për jetën, dhe unë po e shijoj shumë këtë fazë. Mundohem ta mësoj, pak nga pak, sa e rëndësishme është familja dhe si duhet të duhen dhe respektohen femrat. I flas për mënyrën e komunikimit me shokët dhe shoqet e klasës, për të kuptuar vlerën e respektit dhe rëndësinë që ka një femër në jetën e një mashkulli.  

 

Ka ndonjë gjë që e ke të vështirë t’ia shpjegosh?  

Po e kam pak të vështirë t’ia them se ne, prindërit e tij, nuk jemi më bashkë. Kam frikë mos e lëndoj, ndaj po e zgjas pak këtë proces. Sepse asgjë nuk ka më shumë rëndësi për mua sesa qetësia dhe siguria e tij.  

Si një mama single, çfarë bën mirë?  

Si mami single, po e menaxhoj shumë mirë jetën tonë. Kam një raport të shkëlqyer dhe një balancë të mirë midis të qenurit mami dhe kujdesit për Sarën. I lë kohë vetes për të dyja. Priamin e kam përkëdhelur pak, por ai është një fëmijë shumë i mirë dhe nuk më lodh fare; është tepër i dëgjuar.  

Si një mama single, çfarë bën keq?  

Mmm, nuk e di çfarë bëj keq. Këtë duhet ta thotë Priami. Por edhe kur kam punë (të gjithë e dinë sa e përkushtuar jam në punë), nëse ai më shkruan ose kërkon diçka, unë e lë gjithçka për të.  

Si një mama single, çfarë ëndërron për djalin tënd?  

Për Priamin ëndërroj vetëm të rritet si njeri i mirë dhe si burrë i mirë. Dua që ai të më bëjë krenare gjithmonë me sjelljen dhe zemrën e tij. E di që më pret adoleshenca, por kam besim se do t’ia dalim.  

A dëshiron që të kesh një partner në jetën tënde?  

E kam thënë edhe më parë se një partner tjetër në jetën time nuk e shoh, për momentin. Nuk e shoh për shumë arsye, dhe një ndër to është se dua të jem e lirë për të vazhduar karrierën time. Dua të kem kohën time dhe kohën për Priamin. Nuk mendoj se jam gati akoma.  

Ke provuar të kesh? Çfarë has teksa je në një njohje?  

Në njohjet e sotme, jo vetëm për mua, por mendoj për shumicën e vajzave, duket se femrat kemi ecur shumë përpara. Meshkujt shqiptarë ende nuk janë gati të kenë pranë një femër që bën çdo gjë vetë.  

A është ‘pengesë’ djali yt për të nisur një marrëdhënie?  

Nuk mund ta quaj kurrë djalin pengesë. Jam pajtuar me faktin se gjithmonë do më quajnë “mami single”. Madje kam filluar ta përdor edhe vetë si term, sepse tani është bërë diçka e zakonshme dhe nuk ka asgjë të keqe. Kush më do mua, duhet të më dojë ashtu siç jam, me çdo gjë që kam.  

A flet ti me djalin tënd për këtë pjesë të jetës tënde? Apo është ende herët?  

Është ende herët që Priami të dijë kaq shumë gjëra, gjithçka ka nevojë për kohën e vet. Por jam e sigurt se, edhe nëse ndodh, ai është rritur në një ambient ku unë gjithmonë i them se duhet të jemi të lirë për të bërë atë që ndjejmë. Nuk dua që ai të rritet, duke menduar se ka gabuar në gjërat që bëjmë ose themi. Dua që të jetë i lirë, ashtu siç jam edhe unë.  

Kur do ia thuash të vërtetën e divorcit?  

Nuk e kam menduar ende se kur do ia them, por mendoj se ai di diçka, ndoshta thjesht nuk e artikulon dot. Siç ju thashë më lart, ai është rrethuar vetëm nga dashuria dhe për mua, kaq mjafton.  

E ke menduar se, gjatë kohës që nuk ia ke thënë, mund të njohësh një tjetër partner me të cilin mund të ndihesh rehat… Si do ia shpjegosh?  

(Qesh) Jo, nuk kisha menduar këtë, në fakt. Pastaj, nuk është e nevojshme t’ua tregojmë gjithçka fëmijëve. Njëherë kam nxituar kur isha 19 vjeçe, por tani që jam 32, nuk e bëj më (qesh).  

Fundjavat e tua si mama single, si janë?  

Fundjavat e mia janë të ndara shumë bukur. Dy fundjava i dedikoj Priamit: bëjmë çfarë do ai, luajmë, shkojmë diku, takohemi me shokët e tij. Ndërsa një fundjavë është vetëm e imja, për t’u takuar me mikeshat e mia, të cilat janë në fakt sekreti i gjithë asaj force që shfaq tani Sara. Pa mbështetjen e tyre, nuk do të isha kaq e fortë.  

Një mesazh për të gjitha zonjushat, zonjat për dashurinë?  

Të dashura vajza…! Mos harroni kurrë se dashuria fillon te juve. Duajeni veten, respektoni ndjenjat tuaja dhe lejoni zemrën të udhëheqë zgjedhjet tuaja. Një zemër e lumtur dhe e plotë është gjithmonë e aftë të ndajë dashuri të vërtetë me të tjerët. Ju meritoni të doni dhe të doni fort!  

Një mesazh për të gjithë zotërinjtë që kanë ose jo një partnere?  

Ah more zotërinj, dashuria kërkon guxim, respekt dhe ndershmëri. Duajeni dhe vlerësoni partneren tuaj. Një marrëdhënie e fortë dhe e vërtetë lind nga respekti dhe përkushtimi i dyanshëm. Dhe mos harroni, “Femra që keni në krahë, është ajo çfarë ju keni “zgjuar” tek ajo”!