Një aventurë e pabesueshme ndodhi të mërkurën, gjatë vizitës së Angelina Jolie në një nga zonat më të rrezikshme të botës. Aktorja, e njohur për angazhimin e saj humanitar dhe guximin në terren, u përball me një situatë të papritur: truproja i saj u ndalua nga përfaqësues të qendrës lokale të rekrutimit dhe rrezikoi të “mobilizohej” për frontin ukrainas.
Shoferi dhe truproja i aktores, një ushtarak, u ndalua gjatë një kontrolli ndërmjet Mykolaiv dhe Khersonit në Ukrainë. Dokumentacioni i tij nuk kishte përjashtim të vlefshëm për rekrutim, dhe pavarësisht se kortezhi i automjeteve bëri të ditur se po transportonte një “person të rëndësishëm”, ushtari i palëkundur e çoi atë drejt qendrës së rekrutimit.
Skena që pasoi ishte si e një filmi aksion, Angelina Jolie, e tronditur, nuk mund të rrinte duarkryq. Me vendosmëri dhe guxim, ajo shkoi vetë në zyrën e rekrutimit, duke u siguruar që truproja i saj të lirohej. Një video e publikuar më pas tregon momentin emocionues kur aktorja del bashkë me truprojen e lirë,, një pamje që përmbledh kurajon dhe përkushtimin e saj personal.
Vizita e papritur në Kherson ishte pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Jolie në Ukrainë, ku ajo takoi familje, fëmijë dhe vullnetarë që jetojnë çdo ditë nën rrezikun e dronëve dhe predhave të artilerisë. Aktorja vizitoi maternitetin dhe spitalin pediatrik, duke u interesuar për fëmijët e shtruar dhe duke dëgjuar historitë e banorëve të zonës së luftës.
Ky episod dramatik tregon jo vetëm rreziqet e vizitave në zonat e konfliktit, por edhe përkushtimin e Angelina Jolie për kauzat humanitare. Nga konflikti në Ballkan te gjenocidi kamboxhian, ajo ka dokumentuar vuajtjet e civilëve dhe ka dhënë zë për ata që nuk mund të flasin. Dhe në Kherson, guximi i saj kinematografik u shfaq edhe në jetën reale: duke shpëtuar jo vetëm familje dhe fëmijë, por edhe truprojen e saj.
