Një rrëfim i dhimbshëm dhe i detajuar është transmetuar në emisionin italian Verissimo, ku prindërit e Ilaria Sula-s, një studente shqiptare e vrarë brutalisht në Romë, kanë folur për herë të parë publikisht pas ngjarjes që ka tronditur Italinë dhe Shqipërinë.
Ilaria Sula u vra më 26 mars 2025 në një apartament në Via Homs në Romë nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson. Pas krimit, trupi i saj u fut në një valixhe dhe u braktis në një zonë të thepisur në Capranica Prenestina. Ngjarja ishte bërë më herët publike përmes hetimeve dhe raportimeve mediatike, por tani prindërit kanë ndarë për herë të parë detaje të reja dhe dëshmitë e tyre personale për momentet para dhe pas zhdukjes së vajzës.
“25 marsi ishte hera e fundit që folëm me të”
Babai i saj, Flamur Sula, ka treguar se telefonata e fundit me Ilarian ka qenë më 25 mars.
“Folëm për rreth 20 minuta. Ishte bisedë normale. Na tha se do të kthehej në shtëpi më 29 mars,” kujton ai.
Sipas tij, asgjë nuk tregonte se diçka e rëndë mund të ndodhte. Edhe nëna e saj, Gezime, thekson se vajza e tyre nuk do të kishte qëndruar kurrë larg familjes pa lajmëruar.
“Ilaria ishte shumë e drejtpërdrejtë. Nëse thoshte jo, ishte jo,” shprehet ajo.
Më 29 mars, familja u shqetësua kur Ilaria nuk mbërriti në stacionin ku do ta priste vëllai i saj, Leon. Telefonatat e shumta mbetën pa përgjigje, duke rritur menjëherë dyshimet.
Nëna e saj rrëfen momentin e panikut: ajo kontaktoi bashkëshortin në punë dhe i kërkoi të kthehej menjëherë në shtëpi, pasi vajza nuk po jepte shenja jete dhe nuk kishte mbërritur siç ishte premtuar.
Sipas familjes, në ditët pas zhdukjes u dërguan mesazhe nga telefoni i Ilarisë, ku thuhej se ajo ishte mirë dhe do të kthehej më vonë. Babai i saj thotë se këto mesazhe nuk i dukeshin të shkruara nga vajza e tij.
“Na dukej e pamundur. Nuk ishte sjellja e saj,” shprehet ai.
Më vonë, hetimet zbuluan se telefoni i saj ishte përdorur për të dërguar mesazhe që synonin të mashtronin familjen.
Flamur Sula tregon se pas denoncimit për person të zhdukur, familja u paraqit në komisariat në Romë, ku për herë të parë panë Mark Samson.
Sipas tij, ai u shpreh i tronditur dhe deklaroi se nuk e kishte parë Ilarian prej kohësh dhe se marrëdhënia mes tyre kishte përfunduar.
“E pyeta drejtpërdrejt nëse kishte lidhje me zhdukjen e saj. Ai u betua se nuk do t’i bënte kurrë keq,” tregon babai.
Ai shton se edhe në një takim të dytë, më 30 mars, përgjigjet e tij ishin të njëjta.
Një nga momentet vendimtare, sipas familjes, ishte kur vëllai Leon arriti të lokalizonte telefonin e Ilarisë. Pajisja rezultoi të ishte në banesën e Mark Samson.
Ky fakt forcoi dyshimet e familjes dhe u bë një element i rëndësishëm në hetim.
Prindërit e Ilarisë rrëfejnë se jeta e tyre ka ndryshuar përgjithmonë pas humbjes së vajzës.
“Ashtu si e preka për herë të parë kur lindi, e sistemova me duart e mia ditën e fundit. Doja ta laja vetë, ta prekja trupin e saj. I thashë burrit: dua t’i blej një fustan princeshe për vajzën tonë, sepse ajo ishte princesha e shtëpisë. Shkova i bleva fustan dhe këpucë. E lava vetë, e preka kudo, e rregullova vetë atë ditë”, tha ajo.
Me lotët në sy, Gëzimja ka rrëfyer se e viziton çdo ditë në varrin e së bijës, ku i flet për ëndrrat që e bija nuk mundi t’I realizonte. Prindërit e Ilarias kanë kërkuar drejtësi për të bijën teksa ka kaluar një vit nga ngjarja tragjike.
“Shkoj çdo ditë, ulem dhe i flas për ëndrrat që nuk arriti t’i realizojë. Ajo mezi priste të diplomohej. Sot është Ilaria ajo që më jep forcë të vazhdoj, jam këtu për të kërkuar drejtësi për të. Jeta jonë ka ndryshuar plotësisht.
Ne nuk jetojmë më, ne mbijetojmë. Ecim përpara për djalin tonë Leon dhe për të marrë drejtësi për vajzën tonë Ilaria. Buzëqeshja nuk do të kthehet më në fytyrat tona, por Ilaria duhet të ketë drejtësi”, tha ajo.
“Ne nuk jetojmë më, vetëm mbijetojmë,” thotë babai Flamur. “Jetojmë vetëm për të kërkuar drejtësi për vajzën tonë.”
Nëna e saj shton se nuk ka më buzëqeshje në shtëpinë e tyre dhe se dhimbja është e përhershme.
Edhe vëllai i saj, Leon, kujton lidhjen e fortë që kishte me motrën, duke thënë se ajo ishte gjithmonë personi tek i cili mbështetej.
“Ilaria kishte ëndërr të ndërtonte një të ardhme të mirë dhe të mos përsëriste sakrificat që kishin bërë prindërit tanë si emigrantë,” shprehet ai.
Çështja e vrasjes së Ilaria Sula-s po shqyrtohet aktualisht në Gjykatën e Assize në Romë. Seanca e radhës është caktuar për 19 maj 2026, një ditë para ditëlindjes së saj.
Familja kërkon drejtësi dhe shpreson që procesi gjyqësor të zbardhë plotësisht rrethanat e krimit që i mori jetën studentes shqiptare në Itali.
