morgan lohja

Morgan Lohja, Kampioni i raketave - Celebrity
KreuCelebrity

Morgan Lohja, Kampioni i raketave

Një mëngjes me diell dimri, Morganin (Mogun, siç e thërrasin), e takova me mami Sonilën në një nga kafenetë e Tiranës. E mbaja mend të vogël, por tani është një djalosh bukurosh dhe shtatlartë, e mbi të gjitha kampion. Mogu është kampion tashmë, pjesë e Federatës Shqiptare të Ping-Pongut duke përfaqësuar Shqipërinë në evente sportive kombëtare dhe ndërkombëtare në kategorinë U15, ku ka rrëmbyer disa trofe, të cilat janë tregues për talentin dhe dedikimin e tij. 

“Bordo” takoi Morgan, kampionin tonë në Ping-Pong, i cili vendosi të rrëfejë ndjesitë si sportist, por edhe gjithë dedikimin e tij dhe familjes për të dhënë maksimumin, të cilat kanë nisur të shpërblehen tashmë me trofetë e para. 

Morgan, si nisi rruga me ping-pongun, është një sport jo shumë popullor në Shqipëri? 

Unë e kam nisur ping-pongun në moshën 9 vjeç me iniciativën dhe mbështetjen e prindërve të mi. Ishte babi im që më nxiti të nisja këtë sport – fillimisht nisi si një dëshirë e momentit dhe çdo ditë e më shumë u përfshiva dhe e ktheva si një pjesë të jetës sime. 

Pas disa viteve në futboll, çfarë të tërhoqi te ping-pongu? 

E kam nisur me futbollin që kur isha i vogël, por erdhi një moment që të hiqja dorë. Arsyeja që zgjodha ping-pongun ishte sepse egoja ime nuk e pranonte dot faktin që gabimet e shokëve të ekipit, mund të sillnin humbjen në skuadrën time të futbollit. Në ping-pong është krejt ndryshe, sepse si sport individual, përgjegjësia është vetëm e imja dhe rezultati varet nga unë. 

Kush ka qenë njeriu që të ka mbështetur më shumë në këtë sport? 

Nuk mund të zgjedh një njeri specifik i cili më ka mbështetur më shumë, por mund të them se familja ime ka qenë shtysa kryesore, sidomos babi, ndërsa nga ana sportive, profesori im Arben Mece ka qenë shumë suportues ndaj këtij rrugëtimi në ping-pong. 

Sa orë stërvitesh dhe a ka ndonjë regjim të veçantë? 

Stërvitja ime në ping-pong zgjat rreth 2 deri 3 orë, me një regjim 4 herë në javë dhe kjo është baza e përgatitjes sime si sportist dhe pjesë e Akademisë “Gjikondi”. Prej 6 vitesh jam dhënë me gjithë dëshirën dhe energjinë time, që pas shkollës, ping-pongu të jetë pjesë e pandarë e jetës sime. 

Si e kujton ndeshjen e parë ku ke përfaqësuar vendin tonë? 

Ndeshja ime e parë ku kam përfaqësuar vendin tonë ka qenë në Bullgari në Kampionatin Ballkanik. E kujtoj që isha shumë i emocionuar, pasi kjo lojë nuk do të tregonte vetëm aftësitë e mia, por ishte shumë e rëndësishme sepse përfaqësoja vendin tim. Aty e kam kuptuar për herë të parë se sa peshë të jep ky rol, pra jo thjesht një lojë ping-pongu dhe të tregosh veten, por të përfaqësosh ngjyrat e flamurit tënd. 

Cili ka qenë momenti kur je ndier shumë krenar për arritjet e tua? 

Një moment të cilin nuk do ta harroj asnjëherë, ka qenë kur ngrita trofeun në kampionatin kombëtar të U15, ku dhe mora titullin kampion për herë të parë. 

Po ndonjë moment ku je zhgënjyer dhe mund të jepje më shumë? 

Nuk mendoj se jam ndjerë ndonjëherë i zhgënjyer, por ka ndodhur disa herë kur me vete kam thënë se mund të jepja më shumë. Por këtë e kam kaluar duke korrigjuar gabimet dhe duke vazhduar stërvitjen. 

Si do ta përshkruaje momentin kur ngrihet flamuri kuq e zi? 

Jam ndier shumë i emocionuar kur ngrita flamurin kuqezi në ceremoninë hapëse të EYOF Skopje 2025, sepse përfaqësimi i vendit tim ishte një nder dhe një përgjegjësi e madhe për mua. 

Cilat janë synimet tuaja, a keni një ëndërr që lidhet me ping-pongun? 

Synimi im është të arrij sukses personal, të vazhdoj të përfaqësoj denjësisht Shqipërinë në ngjarjet e ardhshme sportive, por edhe të ndihmoj që ping-pongu të bëhet një sport më i njohur në Shqipëri. 

Ku e sheh veten në të ardhmen, Morgan? 

Kam pak vite që luaj dhe është pak herët për të menduar për të ardhmen…!