lara colturi

Shqipëria me 4 sportistë në Milano-Cortina 2026, Lara Colturi flamurmbajtëse në ceremoninë hapëse - Celebrity
KreuCelebrity

Shqipëria me 4 sportistë në Milano-Cortina 2026, Lara Colturi flamurmbajtëse në ceremoninë hapëse

Shqipëria me 4 sportistë në Milano-Cortina 2026, Lara Colturi

Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026” me katër sportistë. Skiatorja Lara Colturi është zgjedhur të mbajë flamurin kuqezi në ceremoninë hapëse që do të zhvillohet në Cortina d’Ampezzo.

E përditshmja prestigjioze italiane “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull të veçantë skiatores 19-vjeçare me origjinë nga Piemonte. Në shkrim theksohet se Colturi vendosi të përfaqësojë Shqipërinë tre sezone më parë. Ajo është vajza e Daniela Ceccarellit, kampione olimpike në disiplinën Super-G në Lojërat e Salt Lake City 2002.

Gjatë këtij sezoni, Lara ka regjistruar katër ngjitje në podium në slalom, me dy vende të dyta dhe dy të treta, ndërsa në garën e gjigantit në Kranjska Gora u rendit në vendin e gjashtë.

Parakalimi i sportistëve në ceremoninë që do të mbahet në Milano do të nisë me Armeninë, e përfaqësuar nga patinatorët Karina Akopova dhe Nikita Rakhmann. Ndërkohë, në Cortina, sportistja e parë që do të parakalojë do të jetë pikërisht Lara Colturi.

Në fund të ceremonive do të shfaqen flamurmbajtësit e Italisë: Arianna Fontana dhe Federico Pellegrino në Milano, si dhe Federica Brignone dhe Amos Mosaner në Cortina.