Princ Leka dhe Blerta Celibashi duket se janë gati të formalizojnë lidhjen e tyre me hapin më domethënës: martesën. Burime pranë Vip Magazine bëjnë të ditur se çifti ka nisur tashmë organizimet për ceremoninë, ndërsa data e kurorëzimit pritet të jetë shumë e afërt.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe të gjatë stabiliteti në marrëdhënien e tyre, e cila prej kohësh është bërë publike. Një vit më parë, Princ Leka dhe Blerta celebruan fejesën në një ceremoni të ngrohtë dhe private në jug të Shqipërisë, mes familjarëve dhe miqve të afërt. Ngjarja u komentua gjerësisht në mediat shqiptare dhe gjeti jehonë edhe jashtë vendit.
Që prej konfirmimit të lidhjes, dyshja janë parë shpesh së bashku në aktivitete dhe evente publike në Tiranë, duke përcjellë gjithmonë qetësi, elegancë dhe një raport të konsoliduar. Edhe pse kanë zgjedhur të jenë diskretë, prania e tyre e përbashkët ka qenë e mjaftueshme për të dëshmuar harmoninë mes tyre.
Tanimë përgatitjet për martesë në proces, Princ Leka dhe Blerta Celibashi pritet të hapin një kapitull të ri në jetën e tyre personale. Ndërkohë që detajet e ceremonisë mbahen ende larg syrit publik, interesi dhe pritshmëritë mbeten të larta.
