KreuCelebrity

Alban Skënderaj në Londër me “Motiv i jetës time” – një natë për të festuar muzikën, kulturën dhe krenarinë shqiptare!

Alban Skënderaj në Londër me “Motiv i jetës
Këngëtari i njohur shqiptar, Alban Skënderaj, sot, 4 shkurt, do të ngjitet për herë të parë në skenën legjendare të Hammersmith Apollo – Eventim Apollo në Londër me koncertin e tij “Motiv i jetës time”. Kjo sallë historike ka mirëpritur gjatë viteve artistë të famshëm botërorë si The Beatles, Rolling Stones, Queen, Elton John, Adele, Coldplay dhe Ed Sheeran, duke e bërë performancën e Skënderajt një ngjarje të veçantë për komunitetin shqiptar dhe publikun ndërkombëtar.

Biletat për këtë koncert kanë qenë të shitura që nga muaji nëntor, një tregues i qartë i pritshmërisë dhe interesit të madh që ka krijuar artisti dhe produksioni i tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Alban Skënderaj shprehu emocionin dhe krenarinë për këtë arritje:

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që më në fund u krijua mundësia që një produksion artistik, 100% shqiptar dhe i përmasave të mëdha të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar. Aty ku komuniteti jonë jeton prej shumë vitesh dhe ku shpesh herë nuk i janë dhënë meritat për kontributin, arritjet dhe përfaqësimin dinjitoz. Është koha të tregojmë anën tjetër, atë të vërtetën! Të tregojmë kulturën, artin, traditën dhe vlerat e vyera të kombit tonë!”

Ky koncert shënon fillimin e një turneu ndërkombëtar për Skënderajn, i cili do të vijojë më pas me dy koncerte të tjera të mëdha: Athinë më 21 mars dhe Stuttgart më 16 maj, duke dhënë mundësinë që publiku shqiptar dhe fansat ndërkombëtarë të përjetojnë energjinë dhe performancën e tij në skena prestigjioze.

Alban Skënderaj është një nga artistët më të dashur të skenës shqiptare, me një karrierë mbi 15-vjeçare. Ai ka lansuar një sërë hitesh të njohura që kanë dominuar top-listat muzikore si “Unë dhe Ti”, “Më merr”, “1000 fjalë”, dhe “Motiv i jetës”, duke fituar zemrat e publikut jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë. 

Alban Skënderaj në Londër, Athinë dhe Stuttgart me “Motiv i jetës time”, një seri koncertesh për të festuar muzikën, kulturën dhe krenarinë shqiptare!