
Qëndrimi i Ludo Lee në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 4 është shoqëruar me tensione të vazhdueshme, ku artisti ka qenë subjekt i fyerjeve dhe kërcënimeve nga disa banorë. Situata ka sjellë reagimin e menjëhershëm të familjes dhe menaxhmentit të tij, të cilët kanë shprehur shqetësim serioz për trajtimin ndaj artistit.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar së fundmi, ata theksojnë se sjellje të tilla janë të papranueshme dhe cenojnë rëndë integritetin personal dhe profesional të Ludo Lee. Sipas tyre, rasti po trajtohet me prioritet dhe po shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për të ndërmarrë veprime konkrete ndaj personave përgjegjës.
Menaxhmenti ka bërë të ditur se ndodhet në komunikim të vazhdueshëm me produksionin e formatit, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe marrjen e informacionit të saktë për ngjarjet e ndodhura brenda shtëpisë.
Gjithashtu, ata kanë theksuar pritshmërinë që produksioni të reagojë në mënyrë të përgjegjshme, duke ndërmarrë masa për të garantuar një ambient të sigurt, të drejtë dhe respektues për të gjithë banorët, në përputhje me standardet etike të një programi me ndikim të gjerë publik.
Në fund të reagimit, familja dhe menaxhmenti i Ludo Lee kanë siguruar ndjekësit se do të vazhdojnë t’i mbajnë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm, duke falënderuar njëkohësisht publikun për mbështetjen e treguar ndaj artistit.
