
Raportet mes Taylor Swift dhe Blake Lively duket se kanë hyrë në një fazë të ftohtë, duke ngritur pikëpyetje mbi vazhdimësinë e miqësisë së tyre të dikurshme shumë të afërt.
Sipas burimeve të cituara nga Us Weekly, këngëtarja po mendon seriozisht nëse do ta përfshijë aktoren në listën e të ftuarve për ceremoninë martesore me Travis Kelce. Një person pranë situatës ka bërë me dije se prania e Lively-t do të sillte vëmendje të tepruar mediatike, diçka që Swift dëshiron ta shmangë në një moment kaq intim të jetës së saj.
Tensionet mes dyshes thuhet se u shtuan pas përfshirjes indirekte të Swift-it në konfliktin ligjor të Blake Lively-t me aktorin Justin Baldoni, lidhur me filmin It Ends With Us. Publikimi i mesazheve private të këngëtares në dokumente gjyqësore e ka bërë atë të ndihet e cenuar dhe e ekspozuar, duke ndikuar negativisht në marrëdhënien mes tyre.
Burime të tjera raportojnë se aktualisht ekziston një distancë emocionale mes Swift dhe Lively-t, ndërsa komunikimi mes tyre është minimal. Sipas tyre, ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kanë pasur një bisedë të sinqertë dhe të thellë, ndërsa besimi është dëmtuar ndjeshëm nga situatat e fundit.
Ndërkohë, Taylor Swift dhe Travis Kelce pritet të kurorëzojnë dashurinë e tyre këtë verë në Ocean House, në Watch Hill, Rhode Island. Çifti u fejua në gusht të vitit 2025, pas dy vitesh lidhje.
Nga ana tjetër, Daily Mail raporton se Blake Lively nuk e ka kontaktuar Taylor Swift-in për ta uruar për fejesën dhe nuk ka ndërmend ta bëjë këtë, ndërsa gjithnjë sipas burimeve, aktorja nuk pritet të jetë e pranishme në ceremoninë e dasmës.
