Stili i padukshëm
Shumë e njohin dhe dashurojnë shtëpinë e modës Maison Margiela, por pak e njohin krijuesin e saj. Edhe pse qysh në fillim paraqitja paksa rebele e markës u kritikua, ajo u bë shpejt shumë e dashur. Vetë stilisti nuk u kujdes fare për kritikat, që e akuzuan se po shkatërronte industrinë, përkundrazi e mbrojti konceptin e tij mbi stilin dhe qasjen ndaj modës, dhe përdorimin inovativ të materialeve jokonvencionale.
Në hapat e Gaultier
Martin Margiela lindi në Belgjikë në 1957. Në vitet 1980 u transferua në Paris, ku punoi me Jean Paul Gaultier. "Kur e takova dhe pashë punën e tij, i thashë se ishte gati për linjën e tij dhe se ai nuk kishte nevojë për një praktikë”, shprehet Gaultier. Tetë vite më pas hapi shtëpinë e tij të modës e cila nuk kishte logo, por një etiketë të bardhë me katër qepje, një simbol delikat dhe i fuqishëm i identitetit dhe anonimitetit të markës.

Anonimati
Edhe pas gati 40 vitesh në botën e modës, Margiela njihet si stilisti misterioz. Ai e ruajti anonimatin e tij, duke mos u shfaqur në publik. Zgjodhi që ekipi i tij të merrej me mediat. Margiela nuk e pëlqen kulturën “e stilistit të famshëm”, ndaj nuk shfaqet në pasarelë, siç ndodh gjithmonë pas prezantimit të koleksioneve. “Nuk dua që media të fokusohet te mua, por te veshjet që unë prezantoj” – është shprehur stilisti.

Avangardë & dekonstruktiv
Margiela iu dedikua artit sartorial, duke studiuar historinë e tij. I trajtoi veshjet si një kirurg që punon deri në detajet më të vogla, duke i transformuar dhe duke thyer të gjitha rregullat e stilit. Maison Margiela spikati për siluetat moderne dhe dekonstruktive, një tipar që e identifikoi dhe krijoi një profil unik të markës. Stili i tij etiketohet si revolucionar, pasi përdor materiale minimaliste, të ricikluara dhe të tipit vintage.
Çizmet Tabi
Mes shumë aksesorëve, çizmja Tabi është më ikoniku i Maison Margiela. Stilisti u frymëzua nga çorapja japoneze Jika-Tabi e shekullit të 15-të, e cila ka si shenjë dalluese një ndarje të gishtit të madh të këmbës. Me një elegancë androgjenë, modeli u ripunua në çizme, sandale e balerina, duke ruajtur sharmin revolucionar dhe të paimitueshëm, si një deklaratë e vërtetë e stilit, për ata që nuk kanë frikë të guxojnë…

Çanta 5AC
Emri "5AC" është një lojë fjalësh për termin francez për çantën "SAC". U bë i njohur për formën dekonstruktive dhe u prezantua nga John Galliano, i cili ishte drejtor kreativ i markës për 10 vite. I punuar nga materiale me cilësi të lartë – çanta në pjesën e poshtme ka një lëkurë të butë, ndërsa nga brenda, zgjatohet një copë e butë kadife. Versioni fillestar u krijua duke marrë si shembull çantën klasike të aparatit fotografik.

-
Të gjitha jetët e Carla Brunit, ish zonja e parë e Francës!
8 Nëntor, 13:57 -
2 receta me kungull për atmosferën e ngrohtë të vjeshtës!
8 Nëntor, 12:56


