KreuCelebrity

Të gjitha jetët e Carla Brunit, ish zonja e parë e Francës!

Nuk ka nevojë për prezantim: as si modele, këngëtare, apo si ish-zonjë e parë e Francës. Në moshën 57-vjeçare, Carla Bruni e cila ka qenë në qendër të vëmendjes për katër dekada, më në fund ka gjetur paqen me veten

Edhe pse gjithnjë shfaqet me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë, ajo gjithmonë mbulohet nga një aureolë misteri. Portreti i saj dallon për një bukuri të qetë, duke shfaqur dukshëm elegancën e saj: Sy të kaltër e të thellë, flokë ngjyrë gështenje që i bien natyrshëm mbi supe dhe me buzët e saj të holla. Carla Bruni, gruaja që ka qenë muzë, këngëtare, modele dhe zonjë e parë, shumë cilësi, sepse siç ajo e pranon, “e kuptoj jetën si art: dua ta kthej të përditshmen në poezi”. Ajo dikur i përkiste rrethit ekskluziv të modës, modeleve të viteve nëntëdhjetë, një fenomen që nuk do të përsëritet kurrë.

E lindur në Torino në vitin 1967, ajo u rrit e rrethuar nga partitura muzikore, libra dhe biseda pasionante rreth artit. Muzika, më shumë sesa një hobi, ishte fija e padukshme që e lidh gjithë fëmijërinë e saj. “Isha gjithmonë shumë e afërt me motrat e mia dhe fëmijëria ishte e mbushur me muzikë”, kujton ajo me një zë të butë. Nëna e saj, një pianiste koncertesh, e mbushte shtëpinë me melodi klasike. I ati, një industrialist dhe kompozitor, mësoi të shihte jetën me një ndjeshmëri të mprehtë. Ajo, ende vajzë e vogël, kalonte orë të tëra me hundën ngjitur në piano dhe as e imagjinonte kurrë se një ditë zëri i saj do të mbushte teatrot. Kur familja Bruni-Tedeschi u zhvendos në Paris, Carla ishte shtatë vjeçe. Ata u vendosën në Saint-Germain des Prés, një cep i Parisit që shkëlqen me letërsi dhe art në çdo hap. "Mbaj mend që ecja në rrugë të dielave, kur qyteti dukej i fjetur. Dukej sikur Parisi po bënte pushim dhe unë mund ta dëgjoja zërin tim më qartë”. Në atë atmosferë të sofistikuar boheme, midis kafeneve, librarive dhe fizarmonikëve të rrugës, Carla e vogël filloi të shkruante poezitë e para. Pikërisht në atë kohë, ajo filloi të ëndërronte për modën, duke parë gratë elegante që ecnin përgjatë trotuareve me kalldrëm të Parisit.

Moda hyri në jetën e saj pothuajse rastësisht, megjithëse ajo preferon të mendojë se ishte fat. "Doja të isha modele. Askush nuk më zbuloi. E shfrytëzova rastin sepse e dija që imazhi mund të më hapte dyert e muzikës". Dhe kështu ndodhi. Bukuria e saj e skalitur dhe aura enigmatike pushtuan sfilatat e modës të viteve 1990, kur supermodelet u bënë perëndesha tokësore. Yves Saint Laurent, Gianni Versace, Chanel - të gjithë e donin Carlen. Por në zemrën e saj, muzika vazhdonte të rrihte në heshtje. “Mbaj mend kastingun tim të parë me Yves Saint Laurent. Hyra në dhomë dhe pashë vajza të bukura – ndihesha kaq e vogël midis tyre. Monsieur Saint Laurent kishte një traditë: në kasting e tij, ne duhet të ishim veshur bukur, me buzëkuq të kuq dhe një pamje të patëmetë. Ai na trajtonte si xhevahire, dhe unë, në atë moment, kuptova se moda nuk ishte vetëm veshje, por ishte art". Ky ishte hapi i saj i parë i madh në një industri që do t'i ndryshonte jetën. Nuk e mohon se vitet në pasarelë ishin një festë e tepruar lirie. “U argëtuam shumë”, rrëfen ajo me një të qeshur plot gjallëri. Këto ishin kohë kur modelet bëheshin ikona dhe bota i admironte. Bruni ndau skenën me Naomi Campbell, Linda Evangelista dhe Claudia Schiffer, por ajo kurrë nuk e humbi ekuilibrin. “Moda më mësoi disiplinën, qëndrueshmërinë… dhe gjithashtu të ndahesha nga imazhi im. Mësova se personi që sheh në revista nuk jam unë. Kjo është thjesht një pjesë e imja, një mikeshë që qëndron me mua".

Edhe pse e kishte dashur famën që kur ishte fëmijë, atëherë kur bota ishte nën këmbët e saj, ajo vendosi të tërhiqej në heshtje. Kishte diçka më të thellë që e thërriste: muzika. Për vite me radhë kishte shkruar këngë, tekste që flisnin për dashuritë e humbura, brishtësinë njerëzore dhe bukurinë kalimtare. “Quelqu'un m'a dit”, albumi i saj i parë, lindi si një rrëfim intim. Askush nuk priste që ai zë pëshpëritës do të bëhej një himn universal. "Shkruaj kur ndiej diçka; është sikur emocionet e mia diktojnë fjalët". Muzika e ktheu në vendin e saj natyror, atë hapësirë ku brishtësia bëhet art. "Gjithmonë kam patur një lidhje të veçantë me muzikën. Luaj piano, kitarë, violinë keq por me pasion", qesh ajo.

Jeta kapriçioze, e çoi më pas në një arenë tjetër të papritur: politikën. Në vitin 2008, për habinë e opinionit publik, ajo u martua me Nicolas Sarkozy, president i Francës. Nga pasarelat dhe skena, Carla kaloi në Pallatit Élysée. "E pranoj se gjëja më e mirë e atyre viteve ishte se unë isha në gjendje të ndihmoja shumë njerëz. Njerëzit të kërkojnë ndihmë kur je në një pozicion të tillë, dhe gjëja e mirë është se mund ta bësh. Nuk mund t'ua ndryshosh jetën, por mund të ndihmosh. Kjo të mbush zemrën. Punët e pushtetit nuk janë të mira për të gjithë njerëzit, sidomos për dikë që është i ndjeshëm, sepse gjendesh në një univers shumë agresiv". Nuk e mohon se për të ishte një sfidë e madhe dhe me shumë përgjegjësi. Roli si zonjë e parë e bëri atë objekt të vazhdueshëm të shtypit dhe opinionit publik, duke e detyruar edhe të ndikonte në çdo paraqitje të saj. "Gjithmonë kam qenë e mbrojtur nga im shoq. Moda dhe muzika më përgatitën vetëm për sa i përket kontrollit të imazhit tim".

Sot, në moshën 57-vjeçare, pavarësisht se ka jetuar disa jetë si në filma, Carla Bruni ka mësuar të vlerësojë dhuratën e së tashmes. "Nuk jam nostalgjike. Unë besoj vetëm në të tashmen". Kjo filozofi e thjeshtë, pothuajse si Zen, reflektohet në çdo gjest: mënyra se si ajo shfleton një libër, mënyra se si ajo humbet veten në një melodi... "Kam shumë frikëra, por preferoj të mos mendoj për to. Më bën të lumtur vetëm fakti që jetoj të tashmen".

Pas largimit nga politika, 3 vitet e fundit, Carla ka krijuar verëra dhe vajra provansalë. "Është krejtësisht diçka e re për mua. Një krijim që ka të bëjë me tokën, me kohën, me shiun, me pemët, diellin, i cili varet nga diçka që nuk mund ta kontrollosh. Është shumë sensuale dhe gjithashtu ka të bëjë me shijen. Shija është një shqisë e jashtëzakonshme. Nuk jam veçanërisht e mirë në të, por më pëlqen gatimi. Vaji im është i mrekullueshëm - duhet ta provoni!". Pasioni i Brunit për fuqinë e krijimit zmadhohet kur bëhet fjalë për krijimin e saj më të madh: "Amësia është ideale, edhe kur të jep kaq shumë përgjegjësi. Dhe përgjegjësia nuk ishte qëllimi im përfundimtar në jetë, për të qenë e sinqertë", qesh ajo. Për të, amësia është një dhuratë që të mëson shumë për dashurinë, kujdesin ndaj dikujt, mbrojtjen e njerëzve të dashur, edhe sesi t’i drejtosh ata në jetë. Nuk e mohon se kjo fazë i dha shumë ankth, shqetësim, por edhe shumë lumturi, derisa ajo gjeti ekuilibrin perfekt. Bruni ka një ndjeshmëri të veçantë për të admiruar gjithçka përreth saj dhe për të gjetur në çdo detaj një zgjatim të artit që i nevojitet për të vazhduar të ecë përpara. "Ajo që më frymëzon te Bvlgari është historia e saj. Italia, përzierja e madhështisë dhe thjeshtësisë së historisë dhe traditës sonë. Është një pjesë e padiskutueshme e zemrës sime. Çdo gjë ka një legjendë fantastike pas saj, por mua më kanë mbetur Gjarpërinjtë. Gjarpërinjtë na bënë njerëz, ata krijuan dobësinë e njerëzimit. Ai tundim na bëri të mbetemi të bllokuar në Tokë dhe sot bëjmë bizhuteri dhe art me ta...", shprehet Carla Bruni, e cila është imazh zyrtar i stolive Bvlgari.

Gruaja që mahniti botën si supermodele, këngëtare dhe zonjë e parë, duket se tani ka gjetur gjithë harmoninë në jetë. I vetmi vend ku ka të gjetur paqen brenda vetes është Jugu i Francës…