
Lisja Tërshana është një prodhuese arti dhe kuratore që vepron në ndërthurjen e artit, shkencës dhe inovacionit. Me një formim të larmishëm që nis nga drejtësia dhe vazhdon me studime të avancuara në menaxhimin e inovacionit në Central Saint Martins, Londër, ajo sjell një perspektivë unike në mënyrën e zhvillimit dhe menaxhimit të projekteve kulturore.
Ajo është bashkëthemeluese e "Khrais–Tërshana Studio", ku ka ndërtuar ura bashkëpunimi mes artistëve, institucioneve ndërkombëtare dhe koleksionistëve, duke kontribuar në ekspozita, bienale dhe platforma kulturore të nivelit ndërkombëtar. Përvoja e saj e gjerë, që shtrihet nga Londra në Tiranë dhe më tej, e bën një zë të rëndësishëm në diskutimin për artin bashkëkohor dhe rolin e tij në shoqëri.
Me vizionin për të ndërtuar hapësira dialogu dhe inovacioni përmes artit, Lisja Tërshana pritet të sjellë në bord një kombinim të rrallë të kreativitetit, përvojës ndërkombëtare dhe aftësisë për të lidhur njerëz e ide.
"Khrais–Tërshana", si u themelua? Çdo të thotë për ty kjo kompani?
U njoha me bashkëthemeluesin tim, Sofian Khrais, gjatë studimeve në Central Saint Martins në Londër. Aty të dy po bënim kërkime mbi ekosistemet e artit bashkëkohor, ai në Poloni, unë në Londër, dhe e kuptuam që ndanim të njëjtin interes për mënyrën si funksionon tregu i artit dhe si mund të krijohen struktura të reja. "Khrais–Tërshana" është manifestim i dy anëve të praktikës sonë: nga njëra anë, përfaqësimi i artistëve përballë klientëve, dhe nga ana tjetër, praktika kuratoriale dhe prodhimi i projekteve ambicioze në bashkëpunim me institucione kulturore.
Çfarë të bëri të ndryshosh drejtimin nga drejtësia drejt artit dhe inovacionit?
Periudha e pandemisë më kapi kur isha duke punuar te një kompani filmi në Notting Hill, por në pozicion ligjor. Aty pata një ngacmim nga industria kreative dhe më ndoqi për një vit të tërë, ndërkohë që po përgatitesha për provimin e kualifikimit si avokate në Angli. Gjatë asaj periudhe, aplikova për degën Menaxhim Inovacioni në Central Saint Martins, një zgjedhje spontane, por më tingëlloi si hap i logjikshëm për të qenë e dobishme në botën e artit.
A të ndihmon formimi ligjor në qasjen ndaj artit dhe inovacionit?
Ligji të jep një bazë shumë të fortë metodologjike: si të strukturosh një argument, si të analizosh, të mbash standard të lartë pune, dhe të “dorëzosh” në kohë dhe formë. Çdo gjë që bën duhet të jetë e saktë, e justifikuar dhe e ndershme, një standard që autoritetet në Angli ta fusin në gjak.
Sfida më e madhe me të cilën u përballe kur shkove në Londër?
Në Londër, nëse je e jashtëzakonshme, je si çdo njeri tjetër.
Puna jote si kuratore, përshkruaje me tri fjalë.
Kurioze, romantike, guximtare.
Projekti më i dashur që ke bërë deri më tani dhe pse?
“Mara” është ndoshta projekti im më i dashur, sepse besoj se futi një ritëm të ri në Tiranë. Vjet kam shkruar një artikull të titulluar “Si mund t’i jem e dobishme artit?”. Ishte një pyetje që me këtë iniciativë jo vetëm gjeta përgjigjen për veten, por edhe për qytetarët e Tiranës, që kërkojnë një përmbushje kreative. “Mara” tregoi se arti mund të jetë një mënyrë jetese, një reflektim i vlerave dhe i shijes. E thashë dhe në atë mbrëmje: të dallosh talent është në vetvete një akt krijues, dhe duke mbështetur karrierat e artistëve, koleksionisti zë rolin e vetë në historinë e artit si bashkautor.

A ka ndonjë moment që e cilëson si pikë kthese në karrierën tënde?
Kam një ndjesi që jam pikërisht duke e kaluar tani.
Ekspozita që ka ndikuar më së shumti te ty si profesioniste?
Do të thosha “Rejarlitet Kalimtar” te Reja në Tiranë (2023). Ishte nisma ime e parë kuratoriale dhe më mësoi çdo hallkë të procesit: nga koncepti, përzgjedhja e artistëve, komunikimi, deri te logjistika dhe realizimi final. E falënderoj drejtoreshën artistike Edit Pula, që më dha besimin ta kalojë këtë proces vetë.

Si e sheh artin shqiptar krahasuar me atë botëror?
Shqipëria është ende në fazën ku çdo iniciativë e re ka peshë konkrete në formimin e peizazhit vendas, një mundësi (dhe përgjegjësi) që e ofrojnë shumë pak vende, të paktën në Europë. Gjithashtu, përderisa nuk ka një infrastrukturë të mirëfilltë tregu, artistët vendas kanë krijuar për institucione pa presionin tregtar që është gjithmonë i pranishëm në Londër, Cologne, New York City, etj. Jam kurioze të shoh çfarë lloj arti do të prodhohet nëse kjo do të ndryshojë.
Çfarë veçantie ka jeta kulturore në Londër që nuk e gjejmë në Tiranë?
E vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetje pa qenë e padrejtë me Tiranën. Londra ofron gjithçka, në çdo mënyrë, kudo, kurdo, për këdo nga nëntë milionë banorët e saj. Nuk ka shumë qytete në botë që mund të krahasohen me makinerinë e prodhimit që është ai qytet. Por, pikërisht për këtë arsye, “e jashtëzakonshmja” është pritshmëri, dhe një punë e mirë nuk ka ndikimin që do të kishte në Tiran

Cilat janë projektet e tua të ardhshme?
Një që mund ta ndaj që tani është rikthimi i “Mara” në Tiranë pranverën tjetër. Me edicionin e parë arrita të mësoj shumë për publikun e artit të Tiranës, por dhe ata patën mundësinë të njohin konceptin dhe filozofinë time, dhe vërtet e përqafuan. Tani e dinë çfarë të presin nga unë… por prapë, dua t’i surprizoj sërish dhe ta çoj një hap më tej.
Nga Brunilda Gorovelli


