Prokurorët në Utah të Shteteve të Bashkuara kanë ngritur aktakuzë për vrasje me paramendim kundër Tyler Robinsonit, i cili akuzohet për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në një universitet të Utahs. Kjo nënkupton se Robinson mund të përballet me dënim me vdekje nëse shpallet fajtor për vrasjen e Kirkut javën e kaluar në Universitetin Valley në Orem.
“Vrasja e Charlie Kirkut është tragjedi amerikane”, tha prokurori i qarkut në Utah, Jeff Gray, duke e shpallur aktakuzën ndaj Robinsonit.
Ai tha se ADN-ja e Robinsonit u gjet në këmbëzën e armës së përdorur për të vrarë Kirkun.
Kirk u qëllua për vdekje më 10 shtator teksa po fliste me studentët dhe vdiq pak kohë më vonë. Prokurorët pretendojnë se Robinsoni e qëlloi Kirkun në qafë me një pushkë nga çatia e një ndërtese pranë kampusit universitar.
Aktakuza e ngarkon Robinsonin, 22-vjeçar, gjithashtu edhe për shkarkim të paligjshëm të armës së zjarrit, vepër që dënohet deri me burgim të përjetshëm, dhe për pengim të drejtësisë, që dënohet deri në 15 vjet burg.
Kirk, një figurë e rëndësishme në politikën konservatore, u bë i afërt me presidentin amerikan, Donald Trump, pas themelimit të organizatës Turning Point USA me bazë në Arizona, një nga organizatat më të mëdha politike në vend.
Ai solli të rinjtë konservatorë evangjelistë në politikë. Vrasja e tij nxiti frikën për rritjen e dhunës politike në një Amerikë thellësisht të polarizuar.

