Aktori Indri Shiroka ka festuar 37-vjetorin e tij të lindjes në një mënyrë mjaft të veçantë brenda spektaklit Ferma VIP, duke përjetuar emocione të forta dhe surpriza të njëpasnjëshme nga njerëzit më të dashur.
Menjëherë pasi ora shënoi mesnatën, moderatorja Arbana Osmani njoftoi fermerët për ditëlindjen e Indrit, të cilët u mblodhën së bashku për t’i kënduar këngën tradicionale të urimit. Atmosfera festive vijoi me urime dhe përqafime nga banorët e fermës.
Surprizat nuk u ndalën me kaq. Indrit iu kërkua të shkonte tek Agai, ku u përball me një moment tejet emocional: një mesazh audio nga djali i tij i vogël. Ky moment e preku thellë aktorin, i cili nuk i mbajti dot lotët.
Më pas, një tjetër surprizë e priste. Nëna e tij ishte aty për ta uruar personalisht, duke i sjellë edhe një tortë ditëlindjeje. Mes emocionesh dhe lotësh gëzimi, ajo i uroi të birit shëndet dhe suksese, duke e këshilluar që ta shijojë në maksimum këtë eksperiencë dhe të mos harrojë të buzëqeshë.
Festës nuk i mungoi as një moment romantik. Indri u takua edhe me partneren e tij në fermë, Vanesa, me të cilën ka krijuar një lidhje gjatë qëndrimit në reality show. Takimi i tyre i parë u shoqërua me përqafime dhe puthje, duke emocionuar edhe banorët e tjerë.
