Një mesazh i mbushur me mall dhe dashuri ka prekur ndjekësit në rrjetet sociale këtë 1 maj, ditë që përkon me ditëlindjen e të ndjerit Shpat Kasapi. Këngëtari i njohur, i cili ndërroi jetë disa muaj më parë, do të festonte sot 41-vjetorin.
Ish-bashkëshortja e tij, Selvije Jao, ka zgjedhur ta kujtojë me një dedikim emocional të publikuar në Instagram. Ajo ndau me ndjekësit një video të veçantë, ku artisti shihet në momente të ngrohta pranë djalit të tyre, Roeli Kasapi.
Në fjalët që shoqërojnë postimin, Selvija shpreh dhimbjen për mungesën e tij, por edhe bindjen se ai vazhdon të jetë pranë tyre në një formë tjetër. Ajo e përshkruan si një “engjëll mbrojtës”, duke theksuar se çdo moment i bukur që përjetojnë e ndjen si një shenjë që vjen prej tij.
Një nga pjesët më prekëse të mesazhit lidhet me djalin e tyre, i cili sipas saj, po fillon të thërrasë “babi”, një moment që ajo e përjeton si një lidhje të gjallë me të atin. Në përmbyllje të dedikimit, ajo i uron ditëlindjen “në parajsë”, duke kujtuar se kanë kaluar pesë muaj nga ndarja e tij nga jeta.
Kujtojmë se Shpat Kasapi ndërroi jetë papritur në nëntor të vitit 2025, teksa ndodhej në Itali, si pasojë e një ataku kardiak. Lajmi për humbjen e tij në moshën 40-vjeçare tronditi skenën muzikore shqiptare dhe publikun e gjerë, duke lënë pas jo vetëm një familje të pikëlluar, por edhe një trashëgimi të pasur artistike që vazhdon të dëgjohet e të vlerësohet.

