KreuCelebrity

15 vjet martesë: William dhe Kate ndajnë një moment të veçantë familjar

15 vjet martesë: William dhe Kate ndajnë një moment të
Princi William dhe Princesha Catherine kanë shënuar 15-vjetorin e martesës së tyre duke publikuar një foto të rrallë familjare në rrjetet sociale.

Në imazhin e realizuar gjatë pushimeve të Pashkëve në Cornwall nga fotografi Matt Porteous, çifti shfaqet i relaksuar mbi bar, së bashku me tre fëmijët e tyre – Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis – si dhe qenin e familjes. Fotografia është shoqëruar me një mesazh të thjeshtë: “Duke festuar 15 vite martesë”, i plotësuar me një emoji zemre.

William dhe Kate u martuan në vitin 2011 në një ceremoni madhështore që u ndoq nga miliona njerëz në mbarë botën. Historia e tyre e dashurisë nisi gjatë viteve të studimeve universitare, ndërsa fillimet e jetës bashkëshortore i kaluan në Anglesey, ku princi shërbente si pilot helikopteri në misione kërkim-shpëtimi për RAF.

Çifti është prind i tre fëmijëve: George, i lindur në 2013, Charlotte në 2015 dhe Louis në 2018. Publikimi i kësaj fotografie përvjetori sjell në vëmendje jo vetëm rrugëtimin e tyre si çift, por edhe dimensionin familjar që ata ndajnë me publikun prej vitesh.