KreuCelebrity

Brenda mendjes së Mimoza Ahmetit, rrëfimi për kënaqësinë e saj më të madhe dhe sekretet që nuk i ka thënë kurrë!

Bota e shkrimtares Mimoza Ahmeti e reflektuar mes ngjyrash, një penelatë mahnitëse që lodron mbi personazhe të njohur ose jo, sende apo ide, të cilat nga grimca të padukshme idesh materializohen në telajo përmes forcës dhe energjisë së mendimit, cathexis-it...!

NGA OLSI KOLAMI

Mbyllja krejt e papritur gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19, për shumëkënd ka qenë një izolim i dhimbshëm, sidomos në atë çast kur Pranvera sapo kishte trokitur dhe përtej qelqeve të dritareve të shtëpive tona shihnim se si lulet shpërthenin plot ngjyra e aroma. Por për Dr. Mimoza Ahmeti kjo periudhë u kthye në një frymëzim ku edhe u ngjiz "Cathexis", një cikël prej 12 pikturash, të cilat janë ekspozuar në galeri "Kalo" në kryeqytet.

Kateksisi i Mimoza Ahmetit i materializuar përmes ngjyrash, ndjesish, historish personale, një proces paksa intim, që vjen i materializuar, duke zbuluar jo thjesht artisten, por individin, a nuk patët frikë se e pavetëdijshmja juaj, mund të shfaqte më shumë sesa duhej?

Përfshirja në një vepër imazhi kërkon një shkëputje thuajse fizike nga bota dhe rrokje të tij në sheshin e telajos me lëvizjen e paimitueshme të penelit. Të tilla ishin pikturat e mia të periudhës së Pandemisë. Një shkarkesë e pafrikshme.Çfarë mundet më tepër se risku i jetës të hedhë në erë skruput e krijimit? Ishte një periudhë izolimi e detyruar. Artisti izolohet vetë, për të prekur avujt e shpirtit..., por pandemia erdhi si një izolim fyes, si e kundërta dhe... këto sfida nuk mund të mos i japin stilit një dimension estetik të paparashikueshëm...

Në procesin e krijimit, ju i besoni gjithçka pavetëdijes, sepse përpos nënshtresave që bartin, dalin në sipërfaqe simbolika të pastra, duke i dhënë kujtdo akses të hyjë në botën tuaj të brendshme...

Nuk mund të them se është tërësisht kështu. Objekti është i turbullt, por është aty. Ai mund të jetë një ngarkesë shqisore, një imazh i paqëndrueshëm që tenton figurim, apo një tension fizik i ngjashëm me një sëmundje që padurimisht pret shërim në shfaqjen e një objekti që mund të jetë një simptomë, analiza e mëpastajme e së cilës mund të përbëjë një njohje, një transformim, një transfigurim perceptimi edhe për të tjerë... nuk ka pra pavetëdije, veçse si inovacion...

Kur zbrita e hyra në ekspozitë mendova: a do të përballem me poeten "hermetike", apo me piktoren "e zbrazur" në kanavacë? Më rezultoi e dyta! Pashë sesi pas bojërave vajore, në çdo fije kërpi kishte mesazhe, si është ky proces për ju?

Procesi shfaqet së pari si një procesor që tenton të rimarrë një diskurs... sado individual, është raporti me shoqëroren që ndërton shtysën, thirrjen, madje dhe drejtimin nëse risinë do ta quanim trend. Tashmë jam e specializuar në inxhinierinë e mendjes, pasi edhe jam shkolluar rreth aspektit virtual dhe formal të kuptimit (meaning)... kjo ma bën më të lehtë të shprehurit, por nuk ma racionalizon atë, nuk e humbet emocionin, sepse miti, vazhdon të jetë zemra e ontologjisë. Dhe nuk mund të shpëtosh me dije racionale nga një përfshirje emocionale, përveçse me pësim, madje jo gjithmonë...

Cleo de Merode ka qenë muzë për shumë artistë të Belle Époque, por ndryshe nga pikturat e tjera, ju keni zgjedhur portretin, pse pikërisht kjo kërcimtare joshëse franceze, shfaqet nga pavetëdija e Mimoza Ahmetit?

Periudha e Belle Époque më tërheq vëmendjen. Ajo ka ndryshuar moralin dhe burrat. Franca është i vetmi vend që ka një histori të qartë të zhvillimit të kodeve të dashurisë. Kjo i ka dhënë gruas një vend qëndror në jetën e pasionit dhe shijes. Franca është një oaz diskursesh të pashpërfillshme nga konvencioni. Eshtë e vetmja kulturë që nuk e tret dot automatizimin e mendimit. Të jesh francez do të thotë të duash të mendosh. Ta kesh pasion mendimin si mënyrë jetese. Mendimi është një ushqim i pazëvendësueshëm nga pasuria, nëse e ke provuar qoftë dhe një herë shijen e tij. Gratë e Belle Époque kanë kultivuar ndjenjë, pasion, kënaqësi, mendim... kanë zbutur epokën, kanë zbutur njeriun mashkull...!

Në disa krijime, shihen qartë njerëz me disa fytyra, të cilat kur i sheh me kujdes kalojnë në plan të dytë teksa struktura urbane apo fenomene lidhen me subjektin, mendoni se kateksi ynë, i cili është kaq personal, ndihmohet apo pengohet nga ajo që na rrethon?

Kateksi, si kultivim i energjisë së njeriut, pra formatimi i njeriut bashkëkohor është bërë sa i vështirë aq dhe kompleks. Kompartimenti tregon për një takim të papritur në një tren, të një burri lopë me një vajzë të brishtë që po lexon. Kjo është kultura e vërshimit demografik, përzierja.

"The compartment" sjell një human me brirë që ngjan sikur vjen nga antikja dhe një grua e bukur, kaq e prekshme, si arrini të perceptoni këto rrafshe...!

Nuk e di si i bën imagjinata këto bashkim... por i bën...

Me të njëjtën simbolikë por qasje krejt ndryshe sillni "Le draid naturel", ka elemente kombëtare si dhia, e cila përzihet me disa personazhe, madhësi dhe forma sysh të konsiderueshme...

E drejta natyrore është një temë që më tërheq. Burime njerëzore të paparashikuara shpërthejnë gjithandej me hapjen globale... Eshtë për t’u çuditur, por njeriu mbetet prova kryesore e njeriut... ai shfaqet para së drejtës konvencionale, lakuriq, i pambrojtur, me sytë plot dëshirë... çfarë duhet bërë me njeriun natyrë? Edhe tek secili prej nesh fshihet një njeri natyrë...

Perceptimi im tek disa piktura është se femrat vijnë në pikturën tuaj më të rafinuara, kanë glamour, ndërsa burrat janë të ashpër, është një konvencion apo këndvështrim i juaji?

Mbetem e mendimit se bota do të qe ndryshe po të qe femër. Bota është mashkull. Si e tillë ajo shfaq momentin e fekondimit dhe ftohtësinë e mosdijes, një injorancë trupore ontologjike në atë çfarë është mashkulli në krahasim me shtatzëninë, lindjen e një fëmije, rritjen, ngecjen në hapësirën e rritjes së fëmijëve. Në këtë pikë gjinitë nuk mund ta kuptojnë njëri-tjetrin, dhe nga natyra e gjërave gruan më të favorizuar prej jetës edhe pse kjo është shpërblyer me dënim patriark... Gratë janë shumë më zhbiruese, reflektive, të bukura... burrat komunikojnë fuqinë. Kjo është dobësia e tyre...

Tek "Pranvera në Pandemi", prisja izolimin e dhimbshëm, ngjyra të errëta, por ju sillni një dimension tjetër, ngjyrat e luleve të theksuara, një çiklist që pedalon, ka qenë gjithçka perceptim apo u rebeluat dhe dolët jashtë ato ditë për të mbledhur këto detaje?

Po, kishte shpërthyer një lule shege në kodër, pa pyetur për pandeminë. Dhe u bë shkas i një pikture, në orët e ndalimit të lëvizjes... tani duket absurde kjo e fundit...

"Maximilian Cathexis" në fillim mu duk si një i ri i magjepsur nga një grua krenare, më e madhe në moshë se ai, mendoni se një katetim mes brezash, është një raport doemos emocional?

Raporti mes brezash është jetë. Ai kompleton mungesën që vjen nga zhvillimi i një përparësie... moshat, sidomos kahet ekstreme, janë zbulime për njëra-tjetrën...

Si ndiheni në auditor me studentët tuaj, a ju pëlqen puna në universitet?

Studentët e mi janë të kënaqur me punën time. Dhe unë jam e lumtur që ata kanë pavarësi mendimi, bëjnë kërkime shkencore...

Mes poezisë, prozës dhe pikturës, cila për ju është kënaqësia më e madhe?

Nuk i ndaj.

Pandemia u quajt si periudhë e errët, e cila arriti të gërryejë ndërgjegjen tonë, por ndikoi dhe për të reflektuar e krijuar, a do të ketë pasoja të saj në të ardhmen?

Kam shkruar shumë poezi gjatë kësaj periudhe. Nuk mund të parashikoj të paparashikueshmen. Shumë njerëz kaluan vështirësi dhe kalojnë..., e vërteta është se kjo ishte një goditje përtej imagjinimi... dhe kërkon solidaritet njerëzor dhe dashuri të amortizohet. Punë dhe besim.