KreuCelebrity

Prenga në skenën botërore: Shqiptari sfidon Anthony Joshua-n në rikthimin e tij

Prenga në skenën botërore: Shqiptari sfidon Anthony Joshua-n

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda Anthony Joshua do të rikthehet në ring më 25 korrik në Riad, ku do të përballet me boksierin shqiptar Kristian Prenga në një duel të titulluar “The Comeback”.

Kjo do të jetë ndeshja e parë e britanikut që nga aksidenti tragjik automobilistik në dhjetor të vitit të kaluar, ku humbën jetën dy miq të tij të afërt.

Prenga, 35 vjeç, i cili jeton në SHBA  ka një rekord profesional prej 20 fitoresh dhe vetëm një humbje që nga debutimi i tij në vitin 2016. Shqiptari konsiderohet një kundërshtar i rrezikshëm për shkak të fuqisë së tij në nokaut.

Ndeshja u bë publike nga kreu i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit në Arabinë Saudite, Turki Alalshikh, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në mbarë botën nga platforma DAZN.

Joshua, 36 vjeç, ka një bilanc prej 28 fitoresh dhe 4 humbjesh, ndërsa ndeshjen e fundit e zhvilloi më 19 dhjetor në Miami, ku mposhti me nokaut në raundin e gjashtë Jake Paul.

“Kam marrë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar dhe rindërtuar veten përpara rikthimit në ring. Ky është hapi i radhës në këtë rrugëtim,” u shpreh Joshua. “Jam i lumtur që kemi arritur një marrëveshje për disa ndeshje, duke nisur nga 25 korriku në Arabinë Saudite. Do të rikthehem aty ku e lashë.”

Ndërkohë, promotori i tij Eddie Hearn ka bërë të ditur se kjo ndeshje shërben si përgatitje për një përballje të madhe ndaj Tyson Fury, e cila mund të zhvillohet në nëntor.

“Datat e korrikut dhe nëntorit janë në tavolinë dhe presim të ecim përpara. Fury tashmë ka zhvilluar një ndeshje përgatitore dhe pres që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë,” tha Hearn.

Vetë Fury ka shprehur publikisht dëshirën për një duel me Joshua, pasi fitoi ndaj Arslanbek Makhmudov më 11 prill.

“Tani dua t’ju jap ndeshjen që të gjithë e presin. Dua ty AJ, Anthony Joshua. Le t’u japim tifozëve atë që duan. Betejën e Britanisë,” deklaroi Fury.

Përballja me Prengën pritet të jetë një test i rëndësishëm për Joshua-n përpara një prej dueleve më të mëdha të mundshme në boksin britanik.