
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në prag të koncertit të shumëpritur të Shakirës në Brazil, ku një anëtar i stafit teknik ka humbur jetën gjatë përgatitjeve.
Sipas informacioneve zyrtare, aksidenti ndodhi në plazhin Copacabana, aty ku prej javësh po ndërtohej skena për performancën e planifikuar më 2 maj. Punonjësi ishte duke kryer detyrat e tij kur një pjesë e strukturës u shemb papritur.
Zjarrfikësit bënë me dije se tekniku mbeti i bllokuar në një mekanizëm ngritës dhe pësoi dëmtime të rënda në këmbë. Ai u nxor nga kolegët dhe u dërgua menjëherë në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Burime për Reuters konfirmojnë se viktima ishte pjesë e ekipit që merrej me montimin e skenës. Një dëshmitar tregoi se situata u përkeqësua brenda pak sekondash: “Njerëzit nisën të vraponin dhe kur pamë pas, gjithçka ishte rrëzuar”.
Kompania organizatore “Bonus Track” reagoi përmes një deklarate të shkurtër, duke shprehur dhimbje për humbjen dhe duke konfirmuar incidentin.
Ngjarja vjen pak kohë pasi autoritetet kishin ndërhyrë në të njëjtën zonë, ku më 13 prill u zbulua një pajisje që rezultoi të ishte një granatë tymuese jo-vdekjeprurëse, e cila u neutralizua pa pasoja.
