
Këngëtarja dhe aktorja shqiptare Bleona Qereti, e cila prej vitesh është vendosur në Shtetet e Bashkuara, ka qenë e pranishme në një nga eventet më të përfolura të orëve të fundit në Uashington – Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, e cila u përfshi nga një incident me të shtëna me armë zjarri.
Në rrjetet sociale, Bleona ka ndarë me ndjekësit momente nga mbrëmja, duke publikuar një foto nga tapeti i kuq, ku shfaqet elegante përpara sfondit zyrtar të “White House Correspondents’ Association”. Ajo kishte zgjedhur një fustan të zi me dizajn asimetrik në pjesën e sipërme dhe një mëngë të theksuar, duke e kompletuar look-un me flokë të mbledhura dhe vathë të gjatë elegantë.

“Pushtet, politikë dhe rrobaqepësi precize. Darka e mbrëmshme e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë (tani do të riplanifikohet)”, ka shkruar ajo në përshkrimin e fotos.
Në një tjetër postim, artistja ka ndarë një video ku shihet automjeti zyrtar me të cilin lëviz presidenti amerikan Donald Trump së bashku me Zonjën e Parë, Melania Trump, ndërsa dëgjohet të shprehet: “Ne e duam këtë makinë”.
Bleona ka sqaruar se pamjet janë regjistruar pak çaste përpara incidentit, duke shtuar në përshkrim: “Momente para sulmit”.
