
Sunday Rose, vajza 17-vjeçare e Nicole Kidman dhe Keith Urban, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare pasi nuk e ndjek më të atin në Instagram. Ky veprim vjen në një periudhë kur në publik po qarkullojnë spekulime për një lidhje të re në jetën e këngëtarit.
Ndërkohë, Keith Urban vazhdon ta ndjekë vajzën e tij në rrjetet sociale, çka ka shtuar edhe më shumë diskutimet rreth marrëdhënieve familjare pas ndryshimeve të fundit në jetën e tyre personale.
Sipas raportimeve nga media të huaja, Sunday Rose dhe motra e saj më e vogël, Faith Margaret, po kalojnë më shumë kohë pranë nënës së tyre, Nicole Kidman, ndërsa përpiqen të përshtaten me situatën pas ndarjes së prindërve disa muaj më parë.
Burime pranë familjes thonë se vajzat po përqendrohen tek stabiliteti emocional dhe mbështetja familjare gjatë kësaj periudhe. “Ato janë më të lidhura me nënën dhe po e menaxhojnë situatën me kujdes,” është shprehur një burim për mediat.
Në të njëjtën kohë, në media kanë qarkulluar zëra për një lidhje të mundshme të Keith Urban me këngëtaren Carly Scott Collins, megjithatë kjo e fundit i ka mohuar kategorikisht thashethemet, duke theksuar se nuk ka asnjë marrëdhënie romantike mes tyre.
Sipas disa raportimeve, vajzat e çiftit nuk janë të gatshme të takojnë personin e përfolur pranë babait të tyre, ndërsa po përpiqen të ruajnë qetësinë dhe ekuilibrin pas ndarjes së bujshme të prindërve.
