KreuCelebrity

Ina Aderi: Ky ishte momenti im!

Një mesditë të ngrohtë pranvere, e takojmë Inën në dyqanin e saj të luleve “Saint Rose”. E veshur me një fustan elegant rozë, mes ngjyrave në sfond, duket se ajo ndihet si një personazh që del nga librat me përralla. “Ky është vendi që kaloj pjesën më të madhe të kohës. Sigurisht është puna ime, por në të njëjtën kohë edhe pasioni im” – rrëfen ajo në këtë intervistë për “Bordo”. Vajza e cila e riktheu eksperiencën e saj në “Big Brother VIP Albania” jo thjesht në një aventurë, por në një sfidë me veten, në fund arriti të dhuronte emocione me një dashuri që lindi brenda katër mureve dhe i dhuroi ndjesi të cilat ende e bëjnë të jetë e lumtur krah Keijsit. Ina rrëfen për ditët e qëndrimit në BBV, reagimet pas daljes, jeta me Keijsin, si dhe projektet që mirëpret të jenë pjesë e jetës së saj.

Si të erdhi ideja e një dyqani lulesh?

Gjithmonë i kam pëlqyer lulet, kam jetuar mes lulesh që fëmijë dhe kur u rrita e vija re që kisha si një lloj lidhje me botën e luleve. Lulet më ndikojnë shumë shpirtërisht, më bëjnë më të lumtur. Duke u nisur nga vetja që më jepnin këtë ndjesi, mendova që nëse krijoj një dyqan lulesh, do të bëja të lumtur edhe njerëzit e tjerë dhe jo vetëm veten.

Si është jeta pas “Big Brother VIP”? Si të ka ndryshuar?

Është aty ku duhet të jetë. Jam munduar që kësaj eksperience me të mirat dhe me të këqijat e veta pas mbarimit t'i marr vetëm anët pozitive. Jam përpjekur të shfrytëzoj kohën me miqtë, me familjen, të mirat që vijnë pas kësaj eksperience dhe pse jo për të hedhur një hap më tepër në karrierën time.

A kishe një strategji kur hyre?

Jo, me thënë të drejtën nuk kisha një strategji fikse. Nuk jam njeri që eci me laps dhe me letër në jetë. Më pëlqen të jem spontane dhe të reagoj ashtu siç më vijnë gjërat në moment. Mendoj se kjo më bën më të veçantë.

Çfarë do të bëje ndryshe tani që ke dalë dhe ke shikuar veten?

Nuk do të bëja shumë gjëra ndryshe. Sigurisht për sa i përket ndjesive të mia ato nuk i mohoj, por do të doja ta kisha shijuar pak më tepër, ta kisha lënë pak mënjanë mendimin e tepërt që i bëja vetes aty. Edhe atë pak stres që kisha, thjesht ta kisha shijuar më shumë si eksperiencë, sepse është shumë e bukur dhe tani që kam dalë mendoj që po ja ka vlejtur.

Lidhja që krijove mori shumë vëmendje. Sa reale ishte ajo për ju?

Sigurisht që ishte 100% reale. Unë e kam thënë, nëse është një gjë në jetë që nuk do të bëj kurrë kompromis dhe nuk do e përdorja kurrë për lojë, qoftë brenda dhe qoftë jashtë, janë ndjenjat. Mendoj që nuk fshihen edhe nuk i mashtron dot njerëzit, aq më pak publikun, sepse në fund të ditës eksperienca edhe nëse do të kishim zgjatur deri në fund është vetëm tre muaj dhe lidhja vazhdon edhe jashtë. Këto janë prova dhe fakte të mjaftueshme që ajo që kemi pasur aty brenda ka qenë reale dhe jo vetëm për ‘show’.

Si ndikoi situata në lidhjen tuaj? I gjithë izolimi?

Në fakt kjo është pjesa, le të themi, më ironike e gjithë historisë, sepse nga dy miq shumë të mirë, gjithë izolimi dhe gjithë stresi që po përjetoja aty brenda m'u shndërrua në një ndjenjë dhe në një ndjesi për Kejisin. Kështu që ndryshoi komplet rrjedhën e historisë, nga dy miq të mirë u bëmë dy njerëz të dashur.

Nga raporti që kishit brenda shtëpisë, si është lidhja juaj pas daljes?

Lidhja jonë vazhdon të jetë njësoj, madje akoma dhe më e fortë. Me kalimin e kohës po e njohim akoma më shumë njëri-tjetrin. Në një aspekt që aty brenda, jo që nuk nisëm, por ndoshta nuk patëm kohë ta zhvillonim. Jashtë kemi qenë dy miq, kështu që tani po njihemi në dimensione të tjera. Sigurisht kemi ato zënkat e momentit, sepse jemi deri diku të dy pak kokëfortë. Edhe temperamenti gati i njëjtë në ca momente na bën të kemi përplasje dhe konfrontime mendimesh dhe idesh, por që, ja dalim të jemi akoma bashkë.

Ina, kush mendon se është më fals brenda shtëpisë?

Dëgjo, të gjithë janë nga pak falsë brenda do të thoja. Sigurisht deri diku për hatër të lojës, po dhe si karaktere, por që ajo që do të veçoja, më vjen keq ta them, është një vajzë dhe për mendimin tim është Brikena. Është njeriu më fals që sikurse e kam thënë nuk i lidhet figura me zërin. Mendoj që mban një qëndrim dhe i ka veshur vetes një lloj personazhi që nuk e përcakton fare dhe që dallohet që është e sajuar nga koka te këmbët.

Po dikush që ke pasur një opinion të mirë për të, por pasi ke dalë jashtë të ka zhgënjyer.

Me thënë të drejtën kur e kam ndjekur nga jashtë, kisha krijuar goxha mendime të mira për shumë banorë, por pasi jam bërë vetë pjesë e shtëpisë dhe i kam njohur në një dimension tjetër, kam ndryshuar mendim pothuajse për të gjithë. Prandaj i mëshoj gjithmonë mendimit tim që të jesh aty brenda dhe të jesh këtu jashtë janë dy botë të ndryshme dhe se si e shohim ne lojën që kemi qenë pjesë dhe se si e shohin njerëzit jashtë, pra publiku, është pak e ndryshme dhe ndonjëherë prandaj nuk na përputhen mendimet.

Kush e ka luajtur më mirë lojën sipas teje?

Nuk kam një emër konkretisht se cili është ai që e ka luajtur lojën më mirë. Mendoj që secili ka zgjedhur strategjinë e vet për të qëndruar sa më gjatë aty. Nëse pyetja do të ishte cilën lojë të banorëve nuk do të bëja, mund të kisha një emër.                                                                                                                                                                                          A ka aleanca të fshehta që publiku s'ka arritur t'i kuptojë?

Shumica le të themi kanë dalë në pah dhe janë bërë publike. Plus aty brenda asgjë nuk është e qëndrueshme. Domethënë çfarë është tani nuk është më vonë nëse nuk të konvenon, ti atë aleancë e prish dhe kalon në një front tjetër apo mban një lloj qëndrimi tjetër. Mendoj që loja e “Big Brother-it" është një lojë që të nxjerrë zbuluar dhe në një moment apo në një tjetër ti nuk e fsheh dot më lojën tënde dhe del zbuluar.

Si e ke përjetuar reagimin e publikut pas daljes?

Një ndër frikërat e mia më të mëdha ishte mënyra se si po perceptohesha jashtë, mendoja momentin që do të dal, si do të pritem, çfarë është thënë, sepse e kisha ndjerë deri diku që mund të kishte pasur polemika goxha të forta, por ndodhi totalisht e kundërta. Kur dola pata një lloj zemërgjerësie dhe mbështetje nga njerëzit e mi më të afërt po, por edhe nga njerëz që nuk i njihja. Mesazhe requeste në Instagram, njerëz që më përshëndesin në rrugë edhe kjo më mbushi me energji pozitive. Paska njerëz që e kanë vlerësuar lojën time dhe karakterin tim të sinqertë dhe atë Inën që u përpoqa me kaq shumë dëshirë dhe zell ta tregoja sidomos pas largimit të Keijsit, ku mbeta vetëm dhe duhet të tregoja anën time më të mirë, atë Inën e fortë që luftonte dhe që dinte të bënte debate.

Dimë një raport të veçantë me mamin. Çfarë të tha pasi dole nga Big-u?

Fjalët më të mira. Më ka mbështetur siç e ka bërë gjithmonë, por këtë herë akoma edhe më shumë. E kishte marrë malli shumë, edhe mezi po priste që unë të kthehesha në shtëpi.

Për çfarë nuk do ta mërzisje kurrë mamin?

Për lojën, prandaj them që për sa kohë isha brenda ndoshta nuk e shijova aq sa duhet sepse mendoja shumë për mamin, nëse po mërzitej. Kjo më bëri deri diku të mos e shijoja aq shumë. Pra nuk do të doja kurrë që loja ime të ndikonte tek ajo dhe ta mërziste, sepse sa e rëndësishme është ajo për mua, nuk është bota jo më loja.

Veshje apo aksesorë, çfarë blerjesh bën më shumë?

Shquhem si një njeri që jam i apasionuar pas modës edhe të bukurës, kështu që bëj blerje shumë pa kriter.

Cila është blerja e fundit?

Nuk e mbaj mend tani. Veshje.

Cilat janë markat e preferuara?

Kam edhe brand-e shqiptare që i preferoj, por edhe të huaja sigurisht. Por brand-i im i preferuar është Chanel.

A ke plan televizionin ose projekte të tjera?

Më pëlqen televizioni dhe e synoj. Varet nga ofertat që do të kem dhe zgjedhja që do të bëj.

Çfarë të mësoi për veten kjo përvojë?

Më mësoi ta dua shumë veten. Kjo përvojë më maturoi. E pashë veten në një dimension që vështirë jashtë ta shikoja. Jam gjendur e vetme, e izoluar përballë një situatë që nuk më favorizonte shumë, por përkundrazi kjo nuk më stepi dhe nuk ma zbehu në asnjë moment shkëlqimin. Vetëm më bëri më të fortë. Tani më duket sikur pasi kam kaluar këtë eksperiencë, jam gati të kaloj çdo lloj eksperience në jetë. Realisht punët falë Zotit i kam në terezi, jam e përmbushur nga çdo anë qoftë nga puna, familja dhe dashuria.

Nëse do t'i thoje vetes një fjali përpara se të hyje në “Big Brother”, cila do të ishte?

Shijoje, shijoje shumë. Mos mendo asgjë se në fund të ditës çdo gjë kalon dhe harrohet. “Big Brother” është një eksperiencë që vjen vetëm një herë. Nëse do më ofrohej një herë tjetër, nuk mendoj se do ta bëja përsëri. Ky ishte momenti im. Kjo isha unë. Uroj t'ia kem dalë dhe të kem treguar veten time se këtë e kisha pikë të dobët për ta bërë.