KreuCelebrity

Samarkand, kryeqyteti i Rrugës së Mëndafshit në Uzbekistan

Shumë historianë e quajnë Samarkandin, “kryeqyteti kulturor i Rrugës së Mëndafshit”, sepse këtu u përzien kulturat persiane, turke, mongole dhe kineze.
Samarkandi është një nga qytetet më të famshme të “Silk Road”, (Rrugës së Mëndafshit). Për shekuj me radhë ishte një nga pikat kryesore ku takoheshin tregtarë nga Kina, Persia (Irani), India dhe Europa. Prandaj edhe arkitektura, artizanati dhe tregjet e qytetit duken ndjeshëm që kanë shumë ndikime të ndryshme kulturore.
Marko Polo e ka përmendur në kujtimet e tij “Rrugën e Mëndafshit”, por ai nuk mundi të shkelte në Samarkand. Arsyeja është se në atë kohë, Samarkandi ishte nën sundimin mongol dhe rrugët tregtare ndryshonin shpesh për shkak të sigurisë dhe politikës. Ironia e fatit, edhe pse Marko Polo nuk ndaloi aty, Samarkandi ishte një nga qendrat më të mëdha të tregtisë së Rrugës së Mëndafshit dhe më vonë u bë edhe më i famshëm gjatë kohës së perandorit të famshëm Timur, i cili e bëri qytetin kryeqytet të perandorisë së tij dhe solli artistë, arkitektë dhe tregtarë nga gjithë Azia.



Sheshi madhështor i Registanit ishte pikërisht vendi ku tregtarët e Rrugës së Mëndafshit takoheshin, mblidheshin, shkëmbenin mallra dhe lajme nga Kina, India, Persia dhe Europa. Edhe sot ai është një atraksion turistik që mbledh mjaft turistë, dhe veçanërisht natën mbulohet nga një spektakël dritash e muzike.

Samarkand, kryeqyteti i Rrugës së Mëndafshit në Uzbekistan

Kur vjen në Samarkand njihesh me legjenda dhe histori të ndryshme. Një nga këto flet pikërisht për Aleksandrin e Madh që tregon sa i jashtëzakonshëm ka qenë ky qytet edhe në antikitet. Kur Aleksandri i Madh pushtoi qytetin në vitin 329 p.e.s., ai u përball me një qytet shumë më të madh dhe më të pasur nga sa kishte imagjinuar. Qyteti atëherë quhej Maracanda dhe thuhet se Aleksandri tha një shprehje që u bë shumë e famshme: “Gjithçka që kam dëgjuar për Maracandën është e vërtetë… përveç një gjëje: është edhe më e bukur se sa thonë”. Kjo tregon se në atë kohë Samarkandi ishte një qendër e madhe tregtare dhe kulturore. Më vonë qyteti arriti kulmin e tij gjatë sundimit të Timurit, i cili e ktheu Samarkandin në një nga qytetet më madhështore të botës islame, duke ndërtuar monumente si Registan Square, Gur-e Amir, Shah-i-Zinda, etj.

Kur ecën në Samarkand, pikërisht në vendet e përmendura më sipër, është interesante të mendosh se në këtë qytet kanë kaluar vetë Aleksandri i Madh, karvanët e Rrugës së Mëndafshit dhe perandorët mongolë.
Samarkandi ndryshe ka marrë sinonimin e qytetit të “Kupolave blu”. Kupolat blu që shihen kudo, nuk janë rastësi. Ato lidhen me simbolikën e qytetërimit islam dhe të epokës së lulëzimit të tij. Bluja simbolizon qiellin dhe përjetësinë. Në kulturën persiane dhe islame, ngjyra blu dhe turkeze përfaqësonte qiellin, pafundësinë dhe lidhjen me Zotin. Prandaj arkitektët i mbulonin kupolat me pllaka blu për të krijuar idenë që ndërtesa ngrihej drejt qiellit.

Samarkand, kryeqyteti i Rrugës së Mëndafshit në Uzbekistan
Çfarë kujtimesh dhe suveniresh mund të blesh në Samarkand?

-“Ikat” silk, shalle ose rroba mëndafshi. Janë fantastike dhe gjenden veçanërisht në Siab Bazaar. Të sjellësh me vete në shtëpi një copëz nga “Silk Road” është shumë emocionuese.
-Qeramikë blu samarkandi, suvenire të bukura, veçanërisht deve apo kuti druri të punuara, blihen për 5-10 euro.
-Qilima mëndafshi, të madhësive të ndryshme, gjenden dhe mund të shihen si punohen në punishtet vendase.
-Letër tradicionale e Samarkandit, në “Meros Paper Mill”, ku letra vijon të prodhohet nga lëvorja e manit, një teknikë që u përhap nga Kina gjatë Rrugës së Mëndafshit.

Dhe diçka tjetër shumë interesante që të bie në sy në Samarkand, janë bukët tradicionale, ovale, të trasha anash e të holla në mes, të cilat nuk prishen për javë të tëra dhe dikur i merrnin udhëtarët me karvane në “Silk road”. Ato quhen “Samarkand non”,
sepse “non” do të thotë bukë në shumë gjuhë të Azisë Qendrore. Në kulturën e Uzbekistanit, buka konsiderohet pothuajse e shenjtë.
Fakti që nuk prishen shpejt, që rrinë të freskëta me ditë e nganjëherë edhe me javë, i bën të famshme. Arsyeja qëndron te receta tradicionale me fermentim të veçantë, klima e thatë e rajonit, pjekja në furra të veçanta. Madje ekziston një legjendë, sipas të cilës perandori donte që kjo bukë të bëhej edhe në qytete të tjera, por thuhet se nuk dilte kurrë njësoj si në Samarkand, sepse njerëzit besonin se shija vinte nga uji dhe ajri i qytetit.
Buka duhet provuar medoemos. Në qendër ka të stampuar një model dhe çdo furrtar ka modelin e vet.
Në Uzbekistan ka disa rregulla tradicionale rreth bukës “non”.
-Bukën nuk duhet ta kthesh përmbys. Sipas traditës uzbeke, kthimi i bukës përmbys në tavolinë konsiderohet fat i keq, mendohet se sjell mungesë ose varfëri në shtëpi; është edhe një shenjë mosrespekti ndaj ushqimit.
-Gjithashtu në shumë familje uzbeke, buka nuk pritet me thikë, por thyhet me dorë.                                      -Nuk hidhet kurrë në tokë dhe nëse bie, zakonisht merret dhe vendoset lart, jo në dysheme. Në qytete historike si Samarkand, këto zakone lidhen edhe me traditën e mikpritjes së Silk Road, ku buka ishte ushqimi kryesor që ndahej me udhëtarët dhe tregtarët.

“Jam e lumtur që ndodhem në Samarkand. Më duket vetja si pjesë e historisë, si pazëll i plotësuar i rrugëtimit të Marko Polos, duke realizuar atë diçka që ai s’e bëri dot atëherë!
Ai i ra nga Irani (Persia), Afganistani… sepse në Samarkand kishte luftë, unë sot nuk i bie dot nga Irani e Afganistani sepse aty ka luftë. Por gjithsesi, ashtu si Aleksandrit të Madh i mbeti në mendje dhe e admiroi këtë vend, dhe unë gjithashtu u ndjeva e lumtur teksa e shëtita atë”.


Nga Samarkand,
Eda Bano, mars 2026