
Mimoza Ahmeti ka sjellë një moment sa të pazakontë, aq edhe argëtues në “Ferma VIP”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama me një kërkesë krejt origjinale.
E vendosur përballë sfidës së kapjes së lepujve, poetja përdori nota ironie dhe fantazie, duke “kërkuar ndihmë” nga satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” për të lokalizuar kafshët në fermë. Me humor, ajo sugjeroi që teknologjia shtetërore të vihej në funksion për t’i gjetur sa më shpejt lepujt që i duheshin për të shmangur penalizimet në lojë.
Si të mos mjaftonte kjo, Ahmeti e çoi më tej batutën duke përmendur edhe platformën e-Albania, përmes së cilës “kërkoi” pajisjen e lepujve me certifikata identiteti, sikur të bëhej fjalë për qytetarë.
Biseda e saj me banorët, sidomos me Sarën, u shoqërua me të qeshura, ndërsa Moza këmbëngulte se Rama mund t’i gjente lepujt pa asnjë problem, duke e kthyer situatën në një nga momentet më gazmore të spektaklit.
