KreuCelebrity

U diagnostikua në moshën 23 vjeçare, ylli i "Industry" flet per kancerin e tiroides: Simptoma e parë? Asgjë, vetëm lodhje!

U diagnostikua në moshën 23 vjeçare, ylli i

Aktorja britanike Marisa Abela ka vendosur të flasë pa filtra për një nga betejat më të vështira të jetës së saj: përballjen me kancerin e tiroides, një diagnozë që e mori kur ishte vetëm 23 vjeçe. Sot, në moshën 29-vjeçare, ajo tregon se është shëruar plotësisht, por pranon se kjo sëmundje do ta shoqërojë përjetë përmes terapisë dhe kontrolleve të vazhdueshme mjekësore.

Ylli i serialit “Industry” rrëfen se sinjali i parë alarmues ishte një lodhje e pazakontë dhe e zgjatur, e cila nuk lidhej me ritmin e punës apo stresin e zakonshëm. Më pas, mjekët zbuluan një gungë në qafën e saj, që çoi në një operacion të gjatë tetë-orësh për heqjen e masës, i ndjekur nga trajtimi me jod radioaktiv.

“Gjithçka është në rregull tani, falë Zotit. Nuk kam më një tiroide funksionale, ndaj ilaçet që marr bëjnë punën e saj. Kontrollet nuk i anashkaloj kurrë. Tiroidja është e lidhur drejtpërdrejt me hormonet dhe mbajtja e tyre nën kontroll, sidomos për një grua, është jetike që trupi të funksionojë normalisht”, është shprehur Abela në një intervistë për The Times.

Edhe pse e shëruar, aktorja thekson se monitorimi i rregullt shëndetësor mbetet pjesë e pandashme e jetës së saj. Megjithatë, kjo sfidë nuk e ndali në rrugëtimin profesional. Pas trajtimit të suksesshëm, Marisa u rikthye fuqishëm në jetën e përditshme dhe në ndërtimin e karrierës së saj artistike.

Në planin personal, viti i kaluar shënoi një kapitull të ri të lumtur për të, pasi u martua me Jamie Bogyo, të cilin e njohu gjatë studimeve në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik.