Një moment i papritur gjatë transmetimit live e ka rikthyer moderatoren Jonida Vokshi sërish në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale. Gjatë një prezantimi në spektakël, ajo bëri një gafë të vogël, e cila u shndërrua menjëherë në një nga momentet më të komentuara të mbrëmjes.
Teksa po prezantonte make-up artisten, Jonida e quajti atë “Tajm Kastrati”, në vend të emrit të saktë, Time Kastrati. Gabimi nuk kaloi pa u vënë re dhe u korrigjua menjëherë nga Alaudin Hamiti, i cili ndërhyri live për të sqaruar situatën.
Reagimi i moderatores ishte i menjëhershëm dhe plot humor. E ndërgjegjshme për jehonën që do të kishte momenti, Jonida reagoi me të qeshur duke thënë: “U bëra prapë meme”, çka shkaktoi të qeshura në studio dhe tregoi sportivitetin e saj.
Siç ndodh shpesh me momentet spontane televizive, videoja e gafës u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ku ndjekësit nuk ngurruan ta komentojnë dhe ta kthejnë në meme të shumta. Shumë prej tyre vlerësuan reagimin natyral të Jonidës, duke theksuar se gafat e tilla e bëjnë edhe më njerëzore dhe më të afërt me publikun.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Jonida Vokshi bëhet “meme” për gafat e saj, ndaj edhe këtë herë ajo e priti situatën me të qeshura, duke e kthyer një moment të sikletshëm në një episod argëtues për publikun.

