KreuCelebrity

I vdiq në krahë ditën që do të ikte emigrant në Greqi, Akil Pano rrëfen humbjen e babait në Toptani Podcast

I vdiq në krahë ditën që do të ikte emigrant në

Toptani Podcast, nën drejtimin e gazetares dhe autores së njohur Ilda Lumani, vijon të sjellë histori të forta njerëzore, rrëfime që shkojnë përtej suksesit dhe figurës publike, duke prekur plagë të thella jete. Çdo episod është një takim i sinqertë me emocionin, dhimbjen dhe kujtimet që nuk shuhen kurrë.

Në episodin e radhës, pastor Akil Pano hapi zemrën dhe ndau një nga momentet më dramatike të jetës së tij: humbjen e papritur të babait, Kristoforit, në një ditë që duhej të shënonte një fillim të ri për familjen.

Babai i tij ishte 49 vjeç kur vendosi të largohej nga Shqipëria për të punuar në Greqi, si shumë shqiptarë në vitet e vështira të emigracionit. Një largim i mbushur me shpresë, sakrificë dhe ëndrra për një jetë më të mirë për familjen, por që u kthye në tragjedi brenda pak minutash.

Duke e rrëfyer me detaje të dhimbshme, Akil Pano kujton mëngjesin e 18 dhjetorit 1991, pak para orës 8:00, teksa prisnin autobusin përpara Hotel Tiranës.

“Babai im Kristofori do të largohej nga Shqipëria për të punuar në Greqi, si emigrant. Babai im ishte 49-vjeç në atë kohë, do të shkonte për të punuar në një vend të huaj, do të mësonte një gjuhë të huaj për mirëqenien time. Më pas do t’i bashkoheshim dhe ne si familje…”

Momenti që pason është tronditës. Teksa qëndronin përpara shkallëve të hotelit, babai i tij rrëzohet papritur në tokë. Akili ulet pranë tij, përpiqet ta zgjojë, i flet, i lutet, por ai nuk përgjigjet.

“I them: ‘Babë, çfarë ke, si mund të të ndihmoj, të lutem mu përgjigj, më trego, më fol.’ Ai nuk fliste dot asnjë fjalë… sytë e tij ishin drejt në sytë e mi dhe shikoja lot që i rridhnin nëpër fytyrë.”
Brenda pak minutash, rreth tyre mblidhen dhjetëra njerëz. Njëri prej tyre prezantohet si mjek dhe përpiqet t’i japë ndihmën e parë. Për Akil Panon, ishte hera e parë që e kuptoi se situata ishte shumë më e rëndë nga sa mund ta imagjinonte.

Në një përpjekje të fundit për ta shpëtuar, ai vrapon drejt poliklinikës së lagjes për të sjellë një ambulancë, duke e lënë babain mes të panjohurve, me një lutje të vetme në mendje.

“Zot, bëj diçka… ngrije babain tim.”

Kur rikthehet, përballet me një skenë edhe më të dhimbshme. Nëna e tij kishte ardhur për t’i dhënë fjalët e fundit të mirupafshimit bashkëshortit që do të largohej drejt emigrimit. Ajo qante me dënesë, e mbajtur nga dy gra, ndërsa Akili përpiqej ta qetësonte mes kaosit dhe dhimbjes.

“I thashë mamit: ‘Kthehu në shtëpi se gjithçka do të shkojë në rregull. Po shkoj në ambulancë.’”
Ndërkohë, teksa mjeku përpiqej t’i jepte ndihmën e parë në ambulancë, jeta rreth tyre vazhdonte normalisht. Njerëzit vraponin për të kapur autobusin, ndërsa për Akil Panon koha dukej sikur kishte ngrirë.

“Mendoja: si mundet jeta e një njeriu të ndryshojë brenda një minute në këtë formë?”
Një rrëfim që tronditi publikun dhe solli emocione të forta në Toptani Podcast. Një histori që flet për sakrificën e prindërve, dhimbjen e humbjes dhe brishtësinë e jetës, veçanërisht në vitet e vështira të emigracionit shqiptar.

Toptani Podcast vijon të mbetet një hapësirë ku rrëfimet nuk janë thjesht intervista, por dëshmi të vërteta jete që prekin shpirtin dhe lënë gjurmë.

Intervista e plotë më poshtë: