Papastërtia dhe mungesa e higjienës kanë mbetur tema kryesore në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, jo vetëm mes banorëve, por edhe në reagimet e ndjekësve në rrjetet sociale. Shumë prej tyre kanë vënë re rrëmujën, mbeturinat dhe dyshemetë e papastra që janë bërë pjesë e përditshmërisë në ambientet e përbashkëta të shtëpisë luksoze.
Pasi disa paralajmërime të mëparshme nuk u morën seriozisht, Vëllai i Madh ka vendosur të ndërmarrë hapa konkretë. Gjatë mbrëmjes së kaluar, alarmi i shtëpisë u ndez dhe banorët u informuan se çmimi i madh prej 173,000 eurosh do të reduktohet me 2,000 euro, duke u ulur në 171,000 euro.
Sipas komunikatës zyrtare, vendimi erdhi si pasojë e mungesës së përgjegjësisë së grupit për ruajtjen e higjienës. Vëllai i Madh paralajmëroi gjithashtu se nëse nuk shfaqet një përmirësim i dukshëm, zbritja e çmimit do të aplikohet çdo të diel, duke shtuar presion mbi banorët për të ruajtur pastërtinë e shtëpisë.
Përveç problematikave me higjienën, banorët janë kritikuar edhe për pamjen e jashtme, e cila sipas ndjekësve shpesh duket e pakujdesshme dhe ka shkaktuar reagime negative nga publiku.
Mbetet për t’u parë nëse këto masa do të ndikojnë në sjelljen e banorëve dhe në rregullimin e ambientit të përbashkët në ditët e ardhshme.
