Më 1 janar u transmetua episodi i parë i vitit i emisionit E Diellë, një speciale festive që solli për publikun muzikë, nostalgji dhe surpriza të papritura. Studioja u shndërrua në një ambient feste, ku artistë dhe moderatorë kënduan e festuan së bashku, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe pozitive për teleshikuesit.
Megjithatë, momenti që rrëmbeu menjëherë vëmendjen dhe u kthye në surprizën e ditës ishte deklarata e këngëtarit Sinan Hoxha. Gjatë një bisede me moderatoren Megi Pojani, Sinani zbuloi një detaj që shkaktoi reagime të forta në studio.
Me humor, por edhe me një dozë serioziteti, ai bëri publike një “lajm” që solli të qeshura dhe habi te të pranishmit:
“Lajmi i vitit! Unë nuk bëj humor, ti e di që nuk bëj shaka. Megi Pojani sapo më ka rezervuar për vitin 2026. Më 12 gusht martohet.”
Deklarata u prit me entuziazëm dhe kuriozitet, ndërsa kamera u fokusua menjëherë te Megi Pojani. Moderatorja nuk e mohoi dhe e konfirmoi lajmin me një përgjigje të shkurtër, por mjaft domethënëse, duke shtuar edhe më shumë emocion në studio.
Kujtojmë se prej disa vitesh Megi Pojani është përfolur për një lidhje me futbollistin Endri Çekiçi. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka konfirmuar publikisht romancën, fotot dhe videot e publikuara nga vende të njëjta kanë qenë shpesh prova që kanë ushqyer dyshimet e publikut.

