Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar në Orikum. Burime bëjnë me dije se çifti i bashkëshortëve kishte rreth dy muaj që nuk bashkëjetonte më si më parë dhe kishte vendosur të jetonte i ndarë, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes tyre.
Mësohet se viktima, Sose Xhebro, ishte kthyer së fundmi nga Italia, ku jetonte prej kohësh, për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri. Pikërisht gjatë kësaj periudhe dyshohet se tensionet mes çiftit janë përshkallëzuar, duke kulmuar me ngjarjen tragjike, ku bashkëshorti i saj, Llogora Xhebro, i mori jetën 40-vjeçares dhe më pas kreu vetëvrasje.
Edhe pse kishin vendosur të ndaheshin, ata vijonin të jetonin në të njëjtën banesë, pasi procedurat ligjore të divorcit nuk ishin përmbyllur ende në Gjykatë. Sipas burimeve, gruaja kishte kërkuar divorcin, por autori nuk e pranonte këtë vendim.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, ndërsa autoritetet po marrin dëshmi nga familjarë dhe persona të afërt me çiftin, me qëllim sqarimin e rrethanave që çuan në këtë tragjedi të dyfishtë.

