Tatiana Schlossberg, gazetare dhe autore e njohur amerikane, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Lajmi u konfirmua nga familja e saj këtë të martë, vetëm një muaj pasi ajo kishte bërë publik diagnostikimin.
E njohur jo vetëm për mbiemrin Kennedy, por për punën e saj profesionale, Tatiana kontribuoi për vite me radhë si gazetare e mjedisit dhe klimës në “The New York Times”. Në vitin 2019 ajo botoi librin “Inconspicuous Consumption”, një analizë kritike mbi ndikimin e përditshëm të konsumit modern në mjedis.
Ajo u diagnostikua me leuçemi akute pak kohë pasi u bë nënë për herë të dytë në vitin 2024. Përvojën e saj me trajtimet mjekësore dhe pasojat emocionale të sëmundjes, Tatiana e ndau në një ese personale të botuar në “The New Yorker”, ku përshkroi frikën dhe dhimbjen e një nëne që lufton për jetën.
Deri në ditët e fundit, ajo mbeti e angazhuar publikisht, duke kritikuar politikat shëndetësore dhe shkurtimet e fondeve për kërkimin shkencor. Në mënyrë të hapur, ajo kundërshtoi qëndrimet e kushëririt të saj, Robert F. Kennedy Jr., duke paralajmëruar se vendime të tilla mund të rrezikojnë trajtime që shpëtojnë jetë.
Tatiana Schlossberg lë pas bashkëshortin e saj, George Moran, dhe dy fëmijë të mitur, si dhe një trashëgimi të rëndësishme profesionale në gazetarinë mjedisore dhe debatin publik mbi shëndetin dhe shkencën
