Boksieri britanik Anthony Joshua është përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik në Nigeri, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa vetë sportisti ka pësuar lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur të hënën në mëngjes në autostradën Ogun–Lagos, pranë qytetit Sagamu. Sipas policisë lokale, Joshua ndodhej në sediljen e pasme të një SUV Lexus, kur automjeti u përplas me një kamion të ndalur në rrugë, pas plasjes së një gome.
Joshua u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet konfirmojnë se gjendja e tij është e stabilizuar. Ende nuk janë bërë publike identitetet e viktimave.
Aksidenti ndodhi vetëm pak ditë pas fitores së Joshua ndaj Jake Paul, të cilin e mposhti në raundin e gjashtë. Policia e Shtetit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
