Futbolli spanjoll është tronditur nga një ngjarje e rëndë, pasi ka ndërruar jetë Fernando Martin, trajneri i ekipit të femrave Valencia B. Martin humbi jetën në një aksident tragjik në det, ku fatkeqësisht humbën jetën edhe tre nga fëmijët e tij.
Ngjarja ndodhi më 26 dhjetor në Indonezi, ku Martin ndodhej për pushime së bashku me familjen. Sipas informacioneve zyrtare të konfirmuara nga klubi i Valencias, varka me të cilën udhëtonte familja u mbyt gjatë natës. Trupi i trajnerit u gjet pas disa orësh kërkimesh intensive nga autoritetet vendase.
Mediat lokale raportojnë se mjeti lundrues dyshohet të ketë pësuar një defekt mekanik, ndërsa përmbysja është favorizuar edhe nga kushtet e pafavorshme atmosferike. Për pasojë, tre fëmijët e Martin u gjetën të pajetë, ndërsa bashkëshortja e tij dhe vajza më e vogël arritën të shpëtojnë.
Autoritetet indoneziane vijojnë operacionet e kërkimit për katër turistë të tjerë spanjollë, të cilët rezultojnë ende të zhdukur pas të njëjtit incident. Ndërkohë, klubi i Valencias ka shprehur dhimbjen dhe solidaritetin përmes një njoftimi zyrtar, duke i shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve të trajnerit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në botën e sportit, duke lënë pas një dhimbje të madhe për komunitetin e futbollit spanjoll.
