Pas një periudhe larg vëmendjes publike, Lela Seferi, ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 3, ka vendosur të sqarojë arsyen e mungesës së saj në rrjete sociale. Nëpërmjet një bashkëbisedimi me ndjekësit në Instagram, Lela ka bërë të ditur se shkëputja e përkohshme lidhet me një ndërhyrje estetike që ajo ka kryer së fundmi. Konkretisht, bëhet fjalë për eliminimin e dhjamit në zonën e gushës, një procedurë që kërkon kujdes dhe kohë rikuperimi.
Ajo ka treguar se gjatë kësaj periudhe ka qenë e detyruar të kufizojë angazhimet profesionale dhe të respektojë udhëzimet pas operacionit, përfshirë mbajtjen e një fashoje kompresuese, të cilën e ka shfaqur edhe në një fotografi të publikuar.
“Kam qenë e bllokuar sa i përket punës, sepse fashën duhet ta mbaj patjetër pas nderhyrjes”, ka shkruar Lela.
Megjithatë, ajo thekson se gjithë kjo fazë ka vlejtur, pasi është shumë e kënaqur me rezultatin final. Sipas saj, ndryshimi ka tejkaluar pritshmëritë: “Kur po e heq fashën, më shkëlqejnë sytë prej punës së bukur që kanë bërë.”
Sa i përket shenjave pas ndërhyrjes, Lela ka sqaruar se aktualisht ka vetëm një shenjë të vogël poshtë mjekrës, e cila është normale duke pasur parasysh se kanë kaluar vetëm dy javë nga procedura. Ajo siguron se me kalimin e kohës, pamja do të vazhdojë të përmirësohet dhe shenja do të zhduket gradualisht.


