E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Olta ndau për herë të parë një episod të vështirë shëndetësor që ka përjetuar me djalin e saj. Ajo tregoi se Breli lindi me refluks të gradës së tretë, gjë që e bëri vitin e parë veçanërisht sfidues, si për të voglin, ashtu edhe për të si nënë.
“Muajt e parë ishin shumë të vështirë. Nuk e ushqeja dot, nuk e ndërroja dot dhe për të fjetur ishte një sfidë më vete. E mbaja mbi trupin tim, flija me frikë dhe me shumë kujdes”, rrëfeu Olta me sinqeritet.
Këngëtarja theksoi se përvoja e dytë e mëmësisë është shumë e ndryshme nga e para. Sipas saj, Gaia dhe Breli kanë karaktere krejt të kundërta: vajza është më emocionale, ndërsa djali më i pavarur, me nevoja dhe ritme të ndryshme zhvillimi.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive, Olta e konsideron këtë periudhë si një nga më të bukurat e jetës së saj. Ajo shprehet mirënjohëse që ka mundësinë të jetë e pranishme dhe aktive në rritjen e fëmijëve, duke e parë mëmësinë si një bekim dhe një mësim të përditshëm për të mos i marrë gjërat e mira si të mirëqena.
