KreuCelebrity

Jonathan Anderson, ylli i Christian Dior-it!

Në “Hôtel National des Invalides” në Paris, rreth gjashtëqind njerëz presin me padurim fillimin e sfilatës së modës për meshkuj të Dior-it. Personazhet e famshëm dhe figura të modës janë ulur krah për krah. Ngjarja që ka rrëmbyer vëmendjen e Javës së Modës në Paris, është shënuar me të kuqe në kalendarin e Jonathan Anderson, dita kur stilisti 41-vjeçar merr drejtimin e Christian Dior, duke e shkundur markën e modës nga plogështia e dy viteve, rënia e shitjeve dhe koleksionet aspak frymëzuese. 

Herët atë mëngjes, Anderson fërkon sytë teksa përshëndet gazetarët në pas skenë. Duket si një student kolegji në sezonin e provimeve: i lodhur, por i emocionuar, me flokë të çrregullt dhe sy blu të ndritshëm, ai thuajse nuk ka fjetur fare. 

Ndryshe nga shumë stilistë, ai nuk fshihet pas një atmosfere misteri apo ekscentriciteti. Dior gjithnjë ka tërhequr stilistë të destinuar të bëhen legjendarë, si: Yves Saint Laurent, John Galliano dhe Hedi Slimane. Si një nga stilistët më kreativë dhe më me ndikim në botë, ai është ngarkuar të rigjallërojë një prej shtëpive më të rëndësishme të modës. Paraardhësit e tij, nuk kishte arritur të ngrinin imazhin e Dior-it, përkundrazi pësuan një rënie. Por Dior nuk është një markë e zakonshme, është kryesorja e portofolit LVMH, një simbol botëror i modës franceze. Asnjë stilist, që nga patriarku monsieur Dior, nuk e ka mbikëqyrur brand-in me aq vëmendje sa Anderson, ndaj nën drejtimin e tij pritet një epokë e re. 

Anderson vjen pas një dekade te Loewe, ku krijoi copa joshëse dhe një stil jokonvencional, duke fituar reputacionin e një talenti unik. Por rrugëtimi me Dior, mahnit me dizajne të përmbajtura, me një manifest radikal dhe një ide të re veshjesh për meshkuj, me një estetikë e zbutur, që mishëron dëshirën se si burrat duan të vishen. Spikatin këmishat prej puplini, kravatat e mëndafshit me vija, pulovrat e thurura me ngjyra të ndezura, si dhe xhaketat e leshit. Xhinset evokojnë estetikën e stilit Slimane, por te jelekët dhe palltot me ngjyra të forta dallon eleganca aristokratike franceze e shekullit të 18-të, me modele nga arkivi i shtëpisë së modës, të punuara nga vetë monsieur Dior. Çantat kanë kopertina librash si “Drakula” dhe “In Cold Blood”. 

Anderson është mjeshtër në transformimin e konceptit në reklamë dhe të reklamës në koncept, por jo të gjithë mund ta bëjnë një veshje klasike për meshkuj kaq të freskët dhe emocionues. Veshjet kanë një liri krijuese, pothuajse anarkike, që pasqyron dashurinë për interpretim dhe rishpikje, një koleksion qëllimisht të çrregullt dhe provokues, si për shembull: një xhaketë me sandale peshkatari, apo një kravatë mbrapsht me etiketën e ekspozuar. “Qëllimi, ishte të sjell stilin personal përsëri në markë”, – thotë ai. 

Christian Dior la një gjurmë në historinë e modës me koleksionin e parë në vitin 1947, i lançuar 18 muaj pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, duke kthyer feminitetin, romantizmin dhe kënaqësinë e të veshurit, ndaj edhe Anderson nuk e harron kurrë këtë mësim. 

Një vit më parë, ishte me pushime kur mori një telefonatë nga Delphine Arnault, CEO e Dior, e cila i propozoi për të marrë drejtimin e markës. E pranon se kishte arritur në fund të një cikli krijues te Loewe, duke rritur të ardhurat nga 230 milionë dollarë në 2 miliardë, por nuk e kishte imagjinuar kurrë të punonte për Dior. Kjo e kishte bërë propozimin më intrigues. "Doja të kuptoja çfarë ishte e re për mua, përtej prestigjit të markës. Kur të pëlqen diçka shumë, bëhet e rrezikshme. Ka marka që i admiroj se nuk dua t'i revolucionarizoj; ato thjesht kanë nevojë për rifreskim. Ndaj i thashë vetes: “Pse jo?". 

Anderson mbërriti te Dior në një moment vendimtar në historinë e shtëpisë së modës dhe të modës në tërësi. 

Sot ka një krizë në modën e luksit, një ndryshim kulturor që lidhet me aurën dhe ekskluzivitetin që përcakton elitën për dekada. Klientët kanë zbuluar se cilësia është gërryer ngadalë dhe çmimet janë rritur. Ndaj ata kërkojnë një stil autentik, që i frymëzon dhe i fton të jenë pjesë e saj. Duke qenë se Dior është ikona e luksit francez, Anderson tani ka përballë një sfidë të madhe. "Po hyjmë në një periudhë unike për modën, sepse po vëmë në dyshim konceptin e një marke, pa u përpjekur të kuptojmë vlerën dhe historinë e saj”, – thotë ai. 

Beson se pandemia vonoi një ndërrim brezash në botën e modës që do të kishte sjellë perspektiva të reja, ndaj edhe një duzinë markash ndryshuan drejtorët krijues në kërkim të energjisë së re. 

Biznesi kryesor i Dior-it është moda e grave, por Anderson e nisi me meshkujt, sepse shumë stilistë kanë arketipe specifike të maskulinitetit. Ai është pionier i veshjeve për meshkuj me rrjedhshmëri gjinore, duke prezantuar pantallona të shkurtra lëkure dhe funde me rrudha, që përmbysin stereotipet mashkullore. Imagjinata e tij është ai i djemve që provojnë rrobat e vëllezërve më të mëdhenj, duke eksperimentuar me identitete të ndryshme, ndërsa përpiqen të kuptojnë kush janë. Nga ana tjetër, duke eksploruar kufijtë e dekonstruksionit gjinor, ai propozon një imazh klasik dhe aristokratik të maskulinitetit. Por tani, sfida e vërtetë nuk është rishpikja e kostumit, por gjetja e diçkaje krejt të re, sepse ‘ndryshimi’ është fjala kyçe te Dior. Epoka e ardhshme për meshkujt mund të ngjajë me koleksionin e tij të parë, por duke e njohur atë, ka të ngjarë të evoluojë në drejtime të papritura. "Stili i hipive të viteve '70 më magjeps. Nuk e di ku është moderniteti sot, por intrigohem nga sfida e të kuptuarit se ku do të shkojmë”, – përfundon stilisti i Dior-it.