Gazetarja dhe autorja Mira Kazhani po përjeton një humbje të rëndë familjare. Babai i saj, Petrit Kazhani, është ndarë nga jeta, lajm që ajo e ka ndarë vetë me ndjekësit përmes rrjeteve sociale.
Përmes një postimi emocional në Instagram, Kazhani publikoi një foto të të atit dhe shprehu dhimbjen e thellë për ndarjen e tij nga jeta, duke e cilësuar këtë moment si një plagë që prek thellë shpirtin e saj. Reagimi i gazetares ka prekur mijëra ndjekës, të cilët i kanë qëndruar pranë me mesazhe ngushëllimi.
Përveç njoftimit të lajmit, ajo ka ndarë edhe informacionet lidhur me ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit, duke ftuar miq dhe të afërm të marrin pjesë në lamtumirën e fundit.
Petrit Kazhani prej vitesh përballej me demencën, një sëmundje e rëndë që Mira Kazhani e ka përmendur edhe në rrëfimet e saj publike dhe në librin autobiografik “Një ditë tjetër”. Në këtë vepër, ajo ka folur hapur edhe për sfidat personale shëndetësore dhe për betejat e vështira familjare që e kanë shoqëruar ndër vite.
