Përmes një reagimi të ndjerë në rrjetet sociale, këngëtarja Beatrix Ramosaj ka ndarë publikisht një nga sfidat më të vështira që po përjeton familja e saj. Ajo ka folur hapur për betejën me kancerin që po kalon nëna e saj, Antigona Ramosaj.
Vetë Antigona Ramosaj bëri të ditur se ka përfunduar kimioterapinë e parë, duke rrëfyer se, pavarësisht lodhjes fizike, zemra e saj është e mbushur me falënderim dhe dashuri për mbështetjen e marrë nga njerëzit e afërt.
“Po kaloj një nga betejat më të vështira të jetës sime”, shkruan ajo, duke falënderuar familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë me mesazhe, lutje dhe fjalë inkurajuese.
Antigona thekson se arsyeja pse ka zgjedhur ta ndajë publikisht këtë përvojë është ndërgjegjësimi i vajzave dhe grave që të mos neglizhojnë kontrollet mjekësore, edhe kur shqetësimet duken të vogla apo të parëndësishme.
Reagimi i saj u shoqërua menjëherë me fjalë shumë prekëse nga vajza e saj, Beatrix Ramosaj. Këngëtarja e përshkroi nënën si forcën dhe heroinën e jetës së saj, duke vënë në dukje qëndrueshmërinë shpirtërore dhe forcën e saj edhe në momentet më të vështira.
“Edhe kur dhimbja mundohet ta rrëzojë, ajo zgjedh të buzëqeshë”, shkroi Beatrix, duke shtuar se forca e nënës së saj është më e madhe se çdo stuhi.


