Në një natë që do të mbetet e paharrueshme për Crans-Montana, një zjarr katastrofik në lokal “Le Constellation” la pas 40 viktima dhe mbi 100 të plagosur. Por mes dhimbjes dhe tragjedisë, u shfaq një histori heroizmi që ka prekur zemrat e të gjithëve.
Tahirys Dos Santos, futbollist 19-vjeçar i ekipit të dytë të FC Metz, ishte në katin e parë të lokalit kur flakët shpërthyen papritur. Ai arriti të dalë i sigurt, por kur kuptoi se e dashura e tij, Coline, ishte ende brenda, nuk u mendua dy herë u kthye në zjarr dhe e nxori nga flakët.
Pas shpëtimit, Dos Santos ka pësuar djegie në rreth 30% të trupit, duke përfshirë pjesën e pasme të kokës dhe zona të mëdha të trupit. Ai po trajtohet në një qendër speciale për djegie në Stuttgart, ku mjekët janë të kujdesshëm për ditët e para, që janë vendimtare për të parandaluar infeksionet. E dashura e tij gjithashtu mbeti e plagosur dhe ndodhet në spital.
Agjenti i tij, Christophe Hutteau, e përshkroi situatën me fjalët:
“Ai po vuan shumë, por është i vetëdijshëm dhe mund të marrë frymë vetë një shenjë pozitive. Do të duhet të presim disa ditë për të parë si do të evoluojnë plagët, por ne jemi të gjithë pas tij, fizikisht dhe emocionalisht.”
Ngjarja tronditi jo vetëm qytetin, por edhe komunitetin e futbollit, ku veprimi i Tahirys u cilësua si heroik. Në mes të tmerrit, një djalë 19-vjeçar tregoi guxim dhe dashuri të jashtëzakonshme, duke rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar të dashurën.
Një hero i vërtetë mes flakëve dhe tragjedisë.
