Higjiena në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova ka qenë prej kohësh një nga temat më të diskutuara, si mes banorëve, ashtu edhe në rrjetet sociale. Ndjekësit e formatit kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi për mungesën e kujdesit ndaj hapësirave të përbashkëta, duke kritikuar pamjet e çrregullta, dyshemetë e papastra dhe mbeturinat që janë bërë thuajse pjesë e përditshmërisë në shtëpinë luksoze.
Pak minuta më parë, Vëllai i Madh ka reaguar duke marrë masa konkrete për të frenuar këtë situatë. Pas disa paralajmërimeve të njëpasnjëshme, alarmi i shtëpisë u aktivizua dhe banorët u njoftuan se çmimi i madh prej 173 mijë eurosh do të ulet me 2 mijë euro, duke zbritur aktualisht në 171 mijë euro.
Vëllai i Madh paralajmëroi gjithashtu se, nëse nuk do të ketë përmirësim të menjëhershëm në sjelljen e banorëve dhe në nivelin e përgjegjësisë për higjienën, kjo zbritje do të përsëritet çdo të diel, duke rritur ndjeshëm presionin mbi ta.
Ky vendim vjen si një përpjekje për të disiplinuar banorët dhe për të garantuar ruajtjen e pastërtisë në ambientet e përbashkëta, duke mbrojtur njëkohësisht edhe vlerën dhe prestigjin e çmimit të madh të garës.
Përveç kritikave për higjienën, banorët kanë qenë shpesh në qendër të diskutimeve edhe për paraqitjen dhe kujdesin personal, çka ka shtuar reagimet dhe debatet mes publikut.

