KreuCelebrity

Si është të martohesh dy herë me të njëjtin burrë?! Inida Gjata rrëfen pa censurë! EKSKLUVISHT PËR BORDO

E drejtpërdrejtë, pa filtra dhe gjithmonë e gatshme për të ndarë copëza nga jeta e saj personale dhe profesionale, Inida Gjata – Zhaku mbetet një prej figurave më karizmatike të artit dhe medias shqiptare. Pas një periudhe reflektimi, mes jetës familjare në Gjermani dhe rikthimit në ekran përmes politikës e spektaklit, ajo rrëfen me sinqeritet të rrallë për marrëdhënien me bashkëshortin, rolin e ri si nënë, nostalgjinë për skenën dhe filozofinë e saj mbi dashurinë dhe marrëdhëniet. Mes humorit, forcës dhe një të kaluare plot ngjarje, Zhaku shfaqet e gatshme të ndajë versionin më të vërtetë të vetes.  

Një verë e kaluar në Gjermani, vetëm pushim apo edhe një planifikim projektesh artistike?  

Po, kam pushuar kryesisht. Ishte shumë e rëndësishme që të isha pas 3 muajsh në shtëpi. Kam bërë shumë punë shtëpie, sepse 3 muaj kur është gruaja larg mbizotëron pluhuri, pastrova shumë (qesh). Unë procesin e pastrimit e kam si një lloj terapie, më pëlqen shumë, të hekuros, të pastroj, dhe e bëj me shumë kënaqësi. Ishte një lloj pushimi dhe ky, u kujdesa për djalin, për familjen. Nuk është se kam bërë pushime, në Shqipëri kam bërë pushime, koha ishte shumë e keqe, ishim të detyruar të rrinim në shtëpi, vetëm shi. Pastaj, kam pikturuar pak, kam bërë një lloj pushimi si me thënë, por që më aktivitet.  

Çfarë raporti ke me djalin? Sa kohë kalon me të?  

Me djalin kaloj kohën më të madhe, djali tani vetëm një muaj ka që ka filluar kopshtin, shkon vetëm 4 orë në ditë. Kjo jo sepse unë doja, por sepse është më mirë ta çoja në kopsht që të socializohet, të krijoj shoqërinë e vet, të mësohet me një ambient tjetër. Por, që unë kaloj të gjithë kohën me djalin. Amon është gjithmonë aty, unë jam gjithmonë aty, pavarësisht se secili bën gjërat e veta, edhe ai është shumë i pavarur, ka gjërat e veta që i pëlqejnë, por natyrisht i pëlqen edhe të luajë me ne. Çdo gjë është në funksion të Amonit të them të drejtën. E gjithë dita është Amoni. Natën merrem me ndonjë gjë, mund të bëj ndonjë pikturë, pak muzikë. Amon është prioriteti im dhe i tim shoqi.  

Je një mama çuni, tipike meraklie?  

Po, jam shumë meraklie. Kam qenë më meraklie në fillim, por jam pak më “le se fair” tani, edhe Amonin e kam lënë të bëhet pak pis. Më përpara kam qenë manjake fare, nuk e lija të bëhej fare pis në asnjë moment, ishte gjithë kohës kështu me pecetë, me pirun, me çdo gjë shumë perfekte, por tani e lë. Edhe ai duhet të mësohet, nuk jam më aq manjake sa përpara… e lë të luaj patjetër. Shoh tek ai disa cilësi që janë te një burrë dhe unë jam e sigurt që Amoni do të bëhet një burrë shumë interesant, ka personalitet shumë interesant, ka karakter shumë të fortë, është i vendosur. Nuk e di si është ndryshimi me një vajzë, por unë përpiqem që të jem një mama sa më e denjë për djalin tim.  

 

 

Kush e zgjodhi emrin dhe çfarë kuptimi ka?  

Amon është një emër i vjetër. Ka qenë një mbret egjiptian, që nuk quhej tamam Amon, por diçka e ngjashme Amun. Do të thotë, djalë i popullit, njeriu i popullit, i përzgjedhuri. Ka disa kuptime në hebraishten e lashtë dhe në arabisht ka kuptime nga më të ndryshme. Nga këto zona vjen emri. Ne e përshtatëm pak sepse edhe mua më pëlqen shumë fjala Amon (aman, qesh), e përdor gjithmonë. Ka dhe diçka shqiptare brenda, është ai zhargoni i Tironës “amon”. Shkon edhe me mbiemrin Kreuz. Është një emër që mund të përdoret edhe si artist edhe si shkencëtar, si filozof, si këngëtar, çdo gjë që ai mund të ketë dëshirë të bëj në jetë, është një emër që i përshtatet. Është i thjeshtë, është i shkurtër, mbahet mend. Amon Kreuz është shumë bukur bashkë, e zgjodhëm të dy me Kristjanin, pasi shpenzuam nja katër muaj bashkë duke u marrë vetëm me emrin. Nuk është e thjeshtë të përzgjedhësh një emër, por kur ramë dakord për Amon, na pëlqeu, ishte i padiskutueshëm dhe jemi shumë të lumtur që e ka emrin Amon.  

Ndonëse me një shkëputje Inida, u riktheve në vëmendjen publike me art, politikë dhe televizion. Një zgjedhje e menduar apo thjesht erdhën gjërat?  

Ishin, si me thënë, mi solli Zoti, hapi këto dyer… unë edhe e kërkoja në fakt edhe një rikthim, patjetër kisha dëshirë të rikthehesha, nuk e di se si. Mbase ishte në mënyrë të pavetëdijshme, dhe kjo dëshirë e imja e fshehur për t’u rikthyer që i solli këto mundësi. Patjetër unë besoj te manifestimi që i thonë, apo  besoj te realizimi i dëshirave. Por, çdo gjë erdhi natyrshëm, fakti që unë u riktheva përmes një partie politike, përmes angazhimeve të mia politike më risolli në qendër të vëmendjes dhe pata mundësinë që njerëzit të më rishohin mbas shumë kohësh, të rikthehesha në televizionet ku kam qenë, ku kam pas punuar, dhe ftesa për te “Ferma VIP” ishte patjetër një surprizë shumë e bukur, që mua më pëlqeu shumë. Erdhi në momentin e duhur, ishte gjëja e duhur, sepse nuk doja diçka që të kishte angazhim shumë të madh për mua, por edhe doja diçka që të ishte edhe kënaqësi. Të qenit opinioniste te “Ferma”, i plotësoi të gjitha këto kritere. Ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua të rikthehesha në ekran, të rimerrja dashurinë e njerëzve, mbase pak më shumë këtë herë u kisha munguar njerëzve, siç edhe më kishin munguar. Zoti i realizon dëshirat.  

Është hera e parë që bashkëshorti yt të gjen kaq aktive në jetën publike në Shqipëri, si e mendon përfshirjen tënde?  

Kristjani në fakt, ka patur mundësinë, kemi jetuar edhe para shumë vitesh në Shqipëri. Para 12-13 vitesh, dhe patjetër që ka parë diçka nga suksesi, mediat, nga të qenit në media, por tani ishte më i përfshirë. Më këshillonte çfarë do vishja, për mënyrën se si më dukeshin flokët, se si dukesha e lyer. Kristjani më ka mbështetur shumë, është kujdesur shumë për Amonin sepse një muaj unë isha vetëm; duhet të bënim pasaportën e Amonit kështu që ishim të detyruar që të rrinim larg, dhe ai është kujdesur shumë mirë për Amonin. Jam shumë krenare dhe e lumtur për tim shoq, më ka mbështetur shumë me çdo gjë, është njeriu më i afërt që kam. Jemi një ‘team’ si me thënë, për çdo gjë mbështesim njëri-tjetrin, por sidomos Kristjani është shumë i lumtur për suksesin tim, për rikthimin tim sepse e sheh që edhe mua më bën mirë, më motivon. Është i lumtur patjetër kur unë takoj njerëz në rrugë, që ta shprehin dashamirësinë që kanë për mua. Shumë i lumtur është patjetër, e thotë me krenari që është burri im.(qesh). Siç e them dhe unë me krenari që jam gruaja e tij.  

Në marrëdhënien tuaj keni patur ulje-ngritjet tuaja. Si ka qenë kjo periudhë?  

I kemi të gjitha mbas krahëve, domethënë tani vetëm ditët më të mira janë para nesh sepse i kemi kaluar edhe krizat, ndarjet, divorcin, ribashkimin, dhe jam shumë e lumtur që jam martuar dy herë me të njëjtin burrë (qesh). Mbase kjo më bën pak më ndryshe nga të tjerët, sepse njerëzit kur ndahen martohen për së dyti me dikë tjetër, kurse ne u ndamë, u zumë, u toksikuam, u urryem, pastaj u ridashuruam, u rizbuluam, rizbuluam veten, kemi kaluar shumë procese të cilat janë të domosdoshme për njeriun që të përmirësojë veten. Por, sidomos të kuptoj, çfarë është dashuria, çfarë është marrëdhënia. Marrëdhënia nuk mund të jetë diçka statike, e cila ka njëherë një formë dhe nuk ndryshon më kurrë. Marrëdhënia nuk është një qelq apo një porcelan, që po u thye nuk bëhet më. Marrëdhënia është diçka plastike, është një lloj plasteline, një enë që është gjithmonë në formim. Sepse të gjithë njerëzit ndryshojnë dhe janë dhe rrethanat ato që përcaktojnë çfarë drejtimi marrin njerëzit. Kur e zbulon që ky është partneri që të duhet në jetë, ia vlen edhe të sakrifikosh disa gjëra, t’i pranosh, t’i shohësh ndryshe. Patjetër kemi patur problemet tona si çift, por besoj se ne tani jemi në një fazë ku jemi mirënjohës, shijojmë njëri-tjetrin, familjen që kemi. Jemi shumë të lumtur që jemi bashkë dhe nuk do e mendoja kurrë më jetën pa Kristjanin apo pa familjen tonë. Sidomos tani mendoj që çdo sakrificë, çdo gjë ia vlen për të mbajtur gjallë familjen. Nuk mund ta mendoj jetën pa familjen.  

 

Aktore, regjisore, autore tekstesh e poemash – cili nga këto role është më pranë shpirtit tënd? 

Më shumë ndihem regjisore sepse regjisori ka diçka, është analitik, kam gjithmonë kuriozitetin të lexoj vepra të reja. Jam shumë e përfshirë edhe nga ana teorike, është diçka që nuk më lë asnjëherë, në kërkim të një skenari për të inskenuar. Patjetër që unë kam edhe talentin në të shkruar, kryesisht tani jam e përqendruar në tekstet e këngëve, nuk shkruaj më poema si dikur. Por që jam e lumtur që më ka dhënë Zoti të gjitha mundësitë e talentet që kam për të shprehur veten time, se nuk e bëj më për hir të një publiku e bëj thjesht për të kënaqur veten time. Për të parë se si ajo që kam në kokë shndërrohet në një vepër, por që kryesisht mua në fakt çfarë më apasionon më shumë është të qenit në ‘backstage’, nuk më pëlqen tani të jem në skenë, të performoj. Këto nuk i dua më, besoj që do të ngelem një regjisore e pakurueshme gjithmonë.  

Për cilin nga programet ke më shumë nostalgji?  

Programi që më krijon më shumë nostalgji është “Metropolitan show” sepse ishte shumë gallatë, ishte risi, avangardë. Dhe aty kam kujtime akoma që i kam shumë të bukura. Ishte më spektakolar dhe më afër karakterit tim.  

⁠Inida Gjata Zhaku, “Zhaku” një përzgjedhje e jotja që do të të përndjek përherë?  

Një zgjedhje e pamenduar, diçka e krijuar nga halli sepse Zhaku lindi si pseudonim, më thërrisnin çunat e lagjes ‘Zhaku i pamposhtur’ nga një film. Isha pak si kalamani i lagjes, të gjithë kujdeseshin për mua dhe që kur isha fëmijë më ngeli Zhaku. Më pas ishte një zgjedhje që e bëra kur nisa karrierën në televizion,  isha 17 vjeçe kur nisa punën e parë, “Hitparedin”, në Alba TV dhe nuk doja që njerëzit të mendonin që e kisha fituar këtë mundësi falë emrin të prindërve. Nuk doja fare që të më lidhnin me prindërit e mi, doja të isha e lirë në këtë drejtim, ndaj zgjodha Zhakun si pseudonim, shpejt e shpejt pa u menduar gjatë. Pa e kuptuar që një ditë kjo do të bëhej një alterego për mua, pra që edhe Zhaku do të kishte atë identitetin e vet të fortë, ndonjëherë ndihem si me dy personalitete dhe sa herë që vij në Shqipëri Zhaku del më në sipërfaqe, është si një lloj kuçedre që ha këtë tjetrën. Janë dy identitete tashmë të miat me të cilat bashkëjetoj shumë mirë.  

Kishe dikë të preferuar nga “Ferma”?  

Kisha. Në fillim kisha Albën, sepse ishte shumë personazh interesant, më erdhi shumë keq kur doli. Po pastaj krijova një lloj simpatie për të gjithë, patjetër Big Bastën sepse edhe e njihja edhe më parë, e dija që i ka ato cilësitë, m’u bë shumë qejfi që Big Basta fitoi; ishte një djalë që tregoi vlera. Natyrisht që krijon simpati për të gjithë, sepse të bëhen si fëmijët e tu. Sidomos kur i sheh 24 orë dhe kur ke dhe përgjegjësinë që duhet t’i komentosh, dhe çdo fjalë e jotja ndikon për keq a për mirë. Për të gjithë kam shumë simpati, edhe për Keisin. Keisin kam patur mundësinë që ta njoh më vonë, vajzë shumë e zgjuar  dhe interesante. Kam shumë simpati edhe për Limin, djalë shumë i lezetshëm. Ato na bën shumë spektakël me thënë drejtën, na dhanë gjithçka, mbajtën goxha peshë të suksesit që pati Ferma, sidomos në periudhë e parë, para se të iknin. Por kryesisht Alba ishte e preferuara ime, e pastaj Big Basta.  

Ndonjë projekt të ri televiziv? Në politikë?  

Politikën më thënë drejtën e kam lënë, sepse e pashë që nuk ia vlente. Njerëzit vetëm ankohen, të dëgjosh njerëzit të duket situatë katastrofale. Të lind nevoja për t’u ndryshuar realitetin të tjerëve. Unë  jam shumë në rregull, jetoj si personazhet e Cehov në shtëpinë time, jam rehat, nuk kam asnjë problem. Jeta ime është shumë mirë, por duke menduar për hallet e popullit më lindi domosdoshmëria të krijoja një mundësi/alternativë politike për t’i servirur disa mundësira njerëzve që po vuanin. Pashë që njerëzit kot ankohen, sepse janë shumë të kënaqur me situatën që kanë dhe kur erdha këtu më gjatë e kuptova edhe vetë. Kështu që hoqa dorë plotësisht. Projekte televizive nuk kam për momentin, nuk e di a do kem. Vetëm nëse ndodh ndonjë propozim që mua më pëlqen.  

Nëse qeveria Rama do të propozonte një ministri, cilën do të pranoje? Përse?  

Nuk e di nëse Qeveria Rama do më propozonte mua për ministre, nuk besoj sepse një pjesë e kabinetit më njohin mua dhe shumë mirë e dinë që nuk dinë të bëjnë llogari (qesh). Nuk jam për atë punë, edhe vetë nuk e çoj nëpër mend, po erdhi puna në projekte, jam shumë e mirë në ide, kreative, organizoj shumë mirë, por në menaxhim jam bërryl në sensin e llogarive. Dhe një ministër i mirë, administrator i mirë duhet e para të bëj llogari mirë, sa hyjnë, sa dalin. Këshilltare po, edhe mund ta shihja veten.  

Të qenit pa censurë, është ndihmesë në famë apo pengesë?  

I ka të dyja, është thikë me dy presa sepse patjetër që ka rreziqet e veta natyrisht kur flet hapur për çdo gjë, por që unë e kam zgjidhur këtë, është bërë pjesë e karakterit tim. E them mendimin tim, siç duhet. Mbase tani flas pak më pak, sepse i thosha mendimet edhe pa ma kërkuar, ndërsa tani flas vetëm kur ma kërkojnë mendimin, prapë pa censurë. Përpiqem të jem pak më diplomatike, më përpara ta çaja zemrën me ato që thosha ndërsa tani më ndryshe. Mendoj që kjo më ka dhënë respektin, sepse nuk është puna që të kesh famën kot. Kjo ka qenë cilësia ime, karakteristika që më ka dhënë respektin e njerëzve.  

⁠Kritikon shpesh politikën dhe showbiz-in. Cila të ka zhgënjyer më shumë: politika apo arti?  

⁠Showbiz-i më ka zhgënjyer më shumë sepse janë njerëzit më hipokritë, më të pabesë, të lënë në baltë. Të krijojnë disa situata ndonjëherë që të vënë në pozitë shumë të vështirë. Showbiz-i më ka dëmtuar më shumë, është botë më e fëlliqur.    

Martesa dhe mëmësia shpesh të ndryshojnë prioritetet. A ka diçka që sot nuk do ta bëje më kurrë, por që në të shkuarën e bëje pa hezitim?  

Dalja e pakufishme. Sa herë që vij në Shqipëri e hap krahun në këtë drejtim, pi, abuzoj për qejf, sepse është dhe mami që kujdeset për Amonin. Janë shoqëritë e vjetra, është jeta ndryshe këtu në Shqipëri. Dhe patjetër që dal, por nuk e bëj më abuzimin, kam hequr dorë dhe jam shumë e lumtur që jam e përqendruar tek Amoni, familja ime.  

Nëse do ta hiqnim çdo titull profesional, kush është Zhaku “pa kostum skene”?  

Jam një introverte e maskuar si ekstroverte. Kjo jam unë. Një njeri që mund të rri dhe javë të tëra pa dalë nga shtëpia, të lexoj, të pikturoj, të rri për qejf të vetë, të kujdesem për shtëpinë. Edhe kontakte fare me njerëz nuk dua të kem, nuk e përdor as telefonin, s’flas me njeri, vetëm me mamin. Shumë pak me shoqërinë apo kushërinjtë që mund të kenë diçka, rrallë nëpër rrjete sociale kur më shkruajnë që u kthej përgjigje. Jam shumë natyrë e mbyllur dhe më pëlqen të reflektoj. Por që njerëzit kujtojnë se unë jam shumë euforike, ekstroverte. I kam natyrisht ato, por që kryesisht jam një botë e mbyllur.   

⁠A ekziston një pyetje që askush nuk ta ka bërë kurrë, por që ti do të doje shumë t’i përgjigjeshe?  

Nuk e di. Përgjithësisht gazetarët kanë qenë gjithmonë shumë interesantë dhe kreativë me pyetjet e tyre në lidhje me mua. Nuk e di a ka ngelur diçka, por… “A je e lumtur?” (qesh) dhe unë po do të thosha, jam e lumtur. Sepse ndihem shumë e realizuar dhe falënderoj shumë Zotin për çdo gjë që më ka dhënë.  

Nga Brunilda Gorovelli