Artisti Kendrick Lamar ka kryesuar listën e pretendentëve për çmimet “Grammy” për të dytin vit radhazi, duke marrë plot nëntë nominime.
Lamar do të konkurrojë për trofeun më të madh, Albumi i Vitit. Në të njëjtën kategori është nominuar edhe superylli i popit, Lady Gaga, me albumin “Mayhem”, që këtë vit mori shtatë nominime gjithsej.
As Lamar dhe as Lady Gaga nuk e kanë fituar më parë këtë çmim prestigjioz, pavarësisht disa nominimeve në të kaluarën.
Në garë për Albumin e Vitit janë gjithashtu Bad Bunny me “Debí Tirar Más Fotos”, Justin Bieber me “Swag” dhe Sabrina Carpenter me “Man’s Best Friend”.
Ndërkohë, albumi më i ri i Taylor Swift, “The Life of a Showgirl”, nuk ishte në listë, pasi u publikua pas mbylljes së afatit për këtë vit.
Artisti portorikan Bad Bunny, i cili do të performojë në pushimin e ndeshjes së Super Bowl-it vitin e ardhshëm, mori gjithsej gjashtë nominime, përfshirë ato për regjistrimin, këngën dhe albumin e vitit.
Në kategorinë Artisti më i ri më i mirë, do të garojnë Olivia Dean, Katseye, Leon Thomas, Alex Warren dhe të tjerë. Leon Thomas ka marrë gjithashtu një nominim për Albumin e Vitit me projektin “Mutt”.
Fituesit e çmimeve “Grammy” do të zgjidhen nga rreth 15 mijë anëtarët votues të Akademisë së Regjistrimeve dhe do të shpallen në ceremoninë gala që do të mbahet në Los Anxheles, më 1 shkurt.
