Neda dhe Ogren Balluku janë bërë sërish në qendër të vëmendjes së mediave rozë, pas lajmit se çifti i njohur po i jep fund martesës së tyre pas një dekade bashkëjetese.
Sipas dokumenteve gjyqësore, te cituara nga sot.com.al, çështja është regjistruar në sekretarinë e gjykatës me numrin 17084, ndërsa për gjykimin e padisë është caktuar gjyqtarja Majlinda Dogga. Burime bëjnë me dije se palët kanë rënë dakord për një marrëveshje divorci, duke përcaktuar edhe detyrimet që do të rrjedhin për secilin pas ndarjes.
Megjithëse procesi është zhvilluar në mënyrë të rezervuar, duket se dyshja ka kaluar prej kohësh një periudhë të vështirë, me ulje e ngritje që përfundimisht kanë çuar në këtë vendim.
Vetëm pak vite më parë, Neda fliste me dashuri për marrëdhënien e tyre, duke e përshkruar si një lidhje që kishte lindur natyrshëm dhe që ishte ndërtuar mbi përkushtim të përditshëm.
“U njohëm krejt rastësisht dhe u dashuruam vërtet. Sekreti, mendoj, është fati dhe vullneti për ta mbajtur marrëdhënien gjallë, sepse martesa është një punë e përditshme – dhe kërkon edhe një dozë fati,” – ishte shprehur ajo në një intervistë të mëparshme.
Sot, duket se kjo histori dashurie ka ardhur në fundin e saj, por ndarja pritet të jetë e qetë dhe me mirëkuptim nga të dyja palët, të cilat tashmë kanë përgatitur paraprakisht marrëveshjen përfundimtare të divorcit.

