Tregu muzikor shqiptar vazhdon të tërheqë vëmendje për tarifat e larta që artistët marrin për performancat e tyre live. Së fundmi një nga menaxherët e njohur Xhani ka zbuluar se shifra më e lartë e paguar për një artist ka arritur 60 mijë euro për një natë, duke theksuar se pagesat ndryshojnë sipas eventit dhe periudhës së vitit.
“Një artist shfaqet zakonisht një herë në muaj në klub. Gjatë muajit të Ramazanit shfaqjet përgjysmohen, kurse viti i ri dyfishon çmimet. E premtja dhe e shtuna janë ditët më të kërkuara,” – tha menaxheri.
Sipas tij, Xhensila Myrtezaj ka qenë këngëtarja më e kërkuar dhe më e paguara për sezonin veror. Koncertet e saj brenda Shqipërisë arrijnë deri në 15 mijë euro, ndërsa jashtë vendit shuma mund të dyfishohet. Një tjetër emër i shquar është Dafina Zeqiri, me tarifat që kapin 10 mijë euro për natë gjatë sezonit dimëror.
Menaxheri vuri në dukje edhe artistët e rinj që po bëjnë bujë, duke përmendur Finem si një talent që ka surprizuar me performancën dhe zhurmën që ka shkaktuar tek publiku.
Pagesat rekord dhe performancat e këngëtarëve më të njohur tregojnë se tregu muzikor shqiptar mbetet i gjallë dhe konkurrues, me artistët që vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e publikut dhe klubeve.
