KreuCelebrity

Lamtumirë Maestro Vessicchio: Dirigjenti ikonik i Sanremos ndërron jetë!

Lamtumirë Maestro Vessicchio: Dirigjenti ikonik i Sanremos ndërron

Peppe Vessicchio, dirigjenti më i dashur i Festivalit të Sanremos, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare, në spitalin San Camillo të Romës, pas komplikimeve të një pneumonie intersticiale. Lajmi, i konfirmuar nga ANSA, ka tronditur Italinë e artit, muzikës dhe spektaklit.

U largua në heshtje, thuajse në majë të gishtave – ashtu si dinë të ikin njerëzit që e kanë lënë gjurmën e tyre në zemrat e të gjithëve. Me buzëqeshjen e tij të butë dhe shikimin e qetë, Vessicchio kishte krijuar një lidhje unike me publikun italian, duke u bërë për shumëkënd “shpirti i Sanremos”.

Fraza “Dirige l’orchestra il maestro Peppe Vessicchio” nuk ishte më vetëm një njoftim në skenë: ishte kthyer në simbol të dashurisë, të kujtesës dhe të vetë muzikës italiane. Kur ai mungonte, Sanremo dukej sikur humbiste pak nga shpirti i tij.

Nuk ishte vetëm një dirigjent, por një mësues i emocioneve. Ai drejtoi për dekada orkestra e artistë të mëdhenj nga Gianni Morandi e Claudio Baglioni, te Ron, Rita Pavone e Gino Paoli, duke fituar katër herë Festivalin e Sanremos, përfshirë edhe me Roberto Vecchioni në këngën “Chiamami ancora amore”.

Në kujtesën kolektive do të mbetet gjithmonë ai moment i paharrueshëm në Sanremo 2023, kur, ndonëse nuk ishte parashikuar të ngjitej në skenë, ai u rikthye papritur për të dirigjuar “Destinazione Paradiso” bashkë me Enrico Melozzi dhe publiku shpërtheu në një ovacion të gjatë e plot dashuri.

Në jetën e tij, muzika nuk ndalej kurrë. Edhe gjatë ditëve të fundit në spital, ai vazhdonte të punonte me mikun e tij Ron për projektin “Ecco che incontro l’anima”, një turne që do të duhej të niste në marsin e ardhshëm. “Flisnim çdo ditë për muzikë,” ka rrëfyer Ron për ANSA  “Ishte një njeri që kompozonte me shpirt dhe urtësi të rrallë. Do t’ia kushtoj atij këngën ‘L’uomo delle stelle’.”

Nga politika te bota e artit, nga Giorgia Meloni te Fabio Fazio, Amadeus, Luciana Littizzetto, Maria De Filippi e shumë të tjerë, të gjithë kanë ndarë ngushëllime dhe kujtime plot ndjenjë për një njeri që dinte të ishte Maestro, jo vetëm i orkestrës, por edhe i jetës.

“Një artist me kulturë të jashtëzakonshme, që ka dhënë shumë dhe që do të na mungojë pafund. ‘Dirige l’orchestra il maestro Vessicchio’ kjo frazë ishte shtëpi, ishte Itali,” – ka shkruar kryeministrja Meloni në rrjetet sociale.

“Një njeri i butë, i mençur, gjithmonë i buzëqeshur. Më la pa fjalë,”  ka thënë Fazio.
Ndërsa Luciana Littizzetto, mikja e tij e dashur, ka shpërthyer në lot: “Nuk dua ta besoj. Muzikë e bukur, shpirt i bukur  ti ishe të dyja.”

Funerali i tij do të zhvillohet në mënyrë private, me kërkesë të familjes.

Por për miliona italianë, Peppe Vessicchio do të mbetet përgjithmonë muzika e butë që dirigjon zemrat.
(Burimi: ANSA.it)