KreuCelebrity

Kundërshtoi kërkesën e Trump për t’i dhuruar shpatën e Eisenhower Mbretit Charles, jep i detyruar dorëheqjen drejtori i muzeut

Kundërshtoi kërkesën e Trump për t’i dhuruar

Një drejtor muzeu në SHBA është detyruar të japë dorëheqjen pasi refuzoi një kërkesë të Donald Trump për t’i dhuruar një shpatë Mbretit Charles III gjatë vizitës së fundit të presidentit amerikan në Britani, raportojnë mediat amerikane.

Todd Arrington, drejtor i Muzeut Eisenhower në Kansas, deklaroi për CBS se iu vendos një ultimatum për të “dhënë dorëheqjen ose për t’u shkarkuar nga puna”, pa specifikuar se nga kush erdhi urdhri.

Sipas tij, kërkesa vinte nga Shtëpia e Bardhë dhe kishte të bënte me një shpatë të ish-presidentit Dwight Eisenhower, e cila do t’i dhurohej Mbretit Charles si simbol i “marrëdhënies së veçantë” mes SHBA-së dhe Britanisë. Arrington e refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar se objekti ishte pjesë e fondit historik të muzeut dhe nuk mund të dhurohej.

Në fund, administrata Trump vendosi t’i dorëzojë Mbretit Charles një kopje të shpatës.

Muzeu është i dedikuar presidentit të 34-të të SHBA-së, i cili përpara se të merrte detyrën në vitin 1953, udhëhoqi forcat aleate në Luftën e Dytë Botërore kundër Gjermanisë naziste.

Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) kërkoi koment nga Shtëpia e Bardhë, por deri tani nuk ka pasur një përgjigje zyrtare.