
Aktorja legjendare Jane Fonda, konsiderohet jo vetëm një ikonë e kinematografisë, por edhe mbështetëse e lëvizjeve pro gruas, një figurë e njohur po ashtu e fitnesit dhe bukurisë, edhe pse në moshën 87-vjeçare, ajo krenohet për jetën e saj të mbushur me fakte dhe emocione magjepsëse. Fonda ka arritur me sukses t’i mbijetojë kancerit të gjirit duke u marrë me sport, duke respektuar pamjen e saj të jashtme, por edhe atë të brendshme. Duke pranuar gabimet e së shkuarës, ajo pohon se është bërë më e mirë, ndaj edhe ndihet më e lumtur. Së fundmi, aktorja fitoi çmimin SAG për Arritje Jetësore në karrierën si aktore, por në këtë intervistë, flet Jane si grua dhe artiste e mrekullueshme.
Ju keni qenë feministe për vite me radhë, cilat mendoni se janë ndryshimet më të mëdha që kanë ndodhur për gratë në Hollywood?
Kur xhiroja filmin tim të parë në vitin 1959, ekipi nuk kishte asnjë grua. Ndoshta kishte ndonjë grua që punonte si mbikëqyrëse skenari, por të gjithë, madje grimierët dhe kostumierët ishin meshkuj. Sot, midis elektricistëve, madje edhe kameramanëve... gjen gra. Kjo është e mrekullueshme dhe vjen për faktin se gratë ndihen të realizuara, njësoj si burrat, aq sa shpesh këta të fundit e vlerësojnë rolin e femrave dhe sillen mirë me to...
A është kjo një arritje?
Absolutisht, sepse sot gratë janë më të përfshira edhe në politikë. Ato janë më aktive se asnjëherë.
Lexova se po punohet për të ribërë filmin “Barbarella”, a është e vërtetë?
Po është e vërtetë, por nuk e di kur do të ndodhë dhe do të habitesha nëse do ta realizonin vërtetë. Me këtë film, unë jam përgjegjëse për ëndrrat e fshehta të shumë djemve të rinj dhe jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e jetës së tyre (qesh).
Cili është filmi i preferuar në filmografinë tuaj?
“On Golden Pond” i Mark Rydell i publikuar në vitin 1981. Sepse më lejoi të punoja me babanë tim, Henry Fonda, dhe ai fitoi aty një çmim Oscar për të para se të vdiste.
Në një intervistë keni thënë se u ndjetë më e lumtur ndërsa plakeshit...
Kjo ndodhi në fund të viteve '70 dhe '80, sepse atëherë u ndjeva edhe më e lumtur. Nuk isha aq e lumtur kur isha më e re. Gjithë jetën kam punuar shumë me veten, duke e kritikuar veten, duke shkuar në terapi, duke medituar, lexuar dhe duke patur pranë miq që ishin më të mirë se unë, madje më të rinj dhe më të guximshëm se unë. Të gjitha këto gjëra më ndihmuan të fitoj vetëbesim, të ndihem më mirë dhe të bëhem një person më i mirë. Ndaj jam një person më i mirë se kur isha e re.

Ke thënë: nisa të lulëzoj kur ishe beqare, në moshën 65 vjeçe, po tani 87 vjeçe, si ndiheni?
Jam beqare sërish dhe jam prapë shumë e lumtur. Njoh miq, madje me disa edhe jam martuar, që kanë tendencën t'i fajësojnë të tjerët për çdo gjë që u ndodh në jetë. Ata thonë gjëra të tilla, si: ‘Bota është plot me budallenj’ ose ‘Unë jam i vetmi person i zgjuar’, por nuk është aspak kështu. Kur thashë isha e lumtur kur isha beqare, kjo lidhej me faktin se unë gjithmonë kam dashur të marr përgjegjësi kur kam bërë gabime, përfshirë këtu edhe martesat që nuk kanë funksionuar. Nëse do të pyesja çdo ditë veten: Pse ndodhi apo çfarë bëra, me siguri do të isha e martuar ende dhe e palumtur? Kur njeriu merr përgjegjësi, mëson dhe rritet, ndaj unë kam mësuar nga çdo eksperiencë, përfshi edhe gabimet.
Prej vitesh i ke përqafuar flokët e thinjura, çfarë ndjesie ju jep?
Së pari, nuk kam më nevojë të shpenzoj pesë orë një herë në muaj dhe të harxhoj 600 dollarë me frikën se fijet gri do të shfaqen sërish. Pastaj janë të gjitha ato kimikate që shpesh më shqetësojnë. E pranoj që jam shumë e lumtur që hoqa qafe ngjyrat e salloneve.
Për filmin “Klute” i preve flokët, a është kjo një mënyrë për të imponuar rregullat e tua në Hollywood?
Absolutisht që po (qesh). Unë isha ende e martuar me Roger Vadimin vendosa të kisha flokë të gjatë biondë, edhe pse ngjyra ime e vërtetë ishte kafe. Unë i besoj shumë një parukieri dhe kur më thanë për rolin e ri, thashë: Bëni diçka. Pritini të gjitha! Dhe rezultati ishte prerja Klute.
Cili është përkufizimi juaj i bukurisë?
Mendoj se ka dy lloje. Ekziston përsosmëria arkitekturore e një fytyre të bukur dhe me përmasa të mira. Por, ndonjëherë edhe fytyrat më perfekte bëhen të mërzitshme. Pastaj, ekziston një lloj tjetër bukurie që vjen nga brenda. Ka të bëjë me qëndrimin, krenarinë për veten, pra ndjesia që ke kur ndihesh mirë me veten. Kjo është një lloj tjetër bukurie, e cila zgjat më shumë.
Cila është këshilla më e mirë që keni marrë për produktet e bukurisë?
Aktorja dhe mikesha ime Catherine Deneuve më tha shumë kohë më parë, në vitet '60, se ajo ndërronte shpesh kremrat e lëkurës dhe nuk përdorte gjithmonë të njëjtin. Këtë e kam dëgjuar në dekadat e mëvonshme nga njerëz që janë të vetëdijshëm se kjo ka tendencë është mjaft e mirë, kështu që unë e bëj shpesh - për të shmangur lëkurën e thatë. Kremrat e mia të preferuara aktualisht janë locioni i fytyrës Uncle Bud, L'Oréal Age Perfect dhe Mila Moursi.

Po sekreti që jeni gjithmonë në formë, cili është?
Unë ndjek të njëjtin regjim sportiv si 10 apo 20 vite më parë, sigurisht me një tjetër ritëm, pra thjesht më ngadalë. Vazhdoj të vrapoj, por tani më pëlqen më shumë të eci në pyll. Stërvitem çdo ditë, sepse është e rëndësishme të kem gjithë trupin në lëvizje, duke alternuar ushtrimet sipas ditëve, pra duke i dedikuar kohë pjesë së poshtme ose të sipërme të trupit, duke e përzier me ushtrime kardio. Por momentalisht ecja në natyrë është rutina ime.
Ndaj ende ju komplimentojnë për këmbët mbresëlënëse?
Nuk më pëlqen që më komplimentojnë për këmbët, sepse unë kam një angazhim të përjetshëm ndaj fitnesit dhe një rutinë të larmishme ushtrimesh fizike. Ndjek seanca stërvitjesh për rezistencë, ushtrime joge dhe skijimi në dimër, po ashtu edhe squats dhe pilates.
Cila është këshilla më e mirë që keni marrë për karrierën tuaj?
Nuk mbaj mend ndonjë këshillë të mirë për karrierën time, thjesht kam bërë atë që kam dashur. Nëse nuk më ka pëlqyer roli, në dreq paratë, rëndësi ka që unë të ndihem mirë me veten.
-
Aksesorët që kanë tërhequr vëmendjen te meshkujt këtë sezon veror!
19 Korrik, 13:21 -
3 sallata verore që përgatiten për 5 minuta!
19 Korrik, 13:08


