
Ribërja me aktorë të drejtpërdrejtë e filmit ikonik të Disney-t “Lilo & Stitch” ka hyrë zyrtarisht në klubin e miliardave. Filmi ka kaluar shifrën prej 1 miliard dollarësh në arkat globale, duke u bërë filmi i parë hollivudian i vitit 2025 që arrin këtë moment historik.
Pas tetë fundjavave në kinema, “Lilo & Stitch” ka arkëtuar 416.1 milionë dollarë në Amerikën e Veriut dhe 584.8 milionë në tregjet ndërkombëtare, për një total prej 1.001 miliardë dollarësh. Edhe pse e suksesshme, komedia familjare renditet pas hitit kinez “Ne Zha 2”, i cili vijon të kryesojë me 1.899 miliardë dollarë fitime globale.
Ajo që e bën këtë sukses edhe më të veçantë është fakti se “Lilo & Stitch” fillimisht ishte planifikuar si një publikim ekskluziv për Disney+, por u shndërrua në një lansim të gjerë kinematografik, një vendim që rezultoi fitimprurës për kompaninë.

Ky është filmi i katërt miliardësh i Disney-t në vetëm 13 muaj, duke u bashkuar me hitet “Deadpool & Wolverine”, “Inside Out 2” dhe “Moana 2”, ky i fundit po ashtu i zhvilluar fillimisht si serial për platformën Disney+.
“E dinim që ‘Lilo & Stitch’ kishte një vend të veçantë në zemrat e publikut, por nuk e marrim asnjëherë si të mirëqenë. Ky film i ri arriti të lidhë njerëzit me po aq dashuri dhe emocion,”, tha Alan Bergman, bashkëkryetar i Disney Entertainment. “Jam mirënjohës për krijuesit, kastin dhe të gjithë ekipin që e sollën këtë sukses në jetë.”
Origjinali i vitit 2002 vazhdon të jetë një prej pasurive më të dashura të Disney-t. Vetëm në vitin 2024, shitjet e produkteve me imazhin e Lilo dhe Stitch arritën në 2.6 miliardë dollarë në mbarë botën, një dëshmi që dashuria për këtë dyshe të pazëvendësueshme nuk është zbehur kurrë.
-
Horoskopi ditor, e shtunë 19 korrik 2025
19 Korrik, 10:02 -


