Ish-Mbretëresha e Tajlandës, Sirikit, e njohur gjerësisht si “Nëna e Kombit”, është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare, njoftoi pallati mbretëror tajlandez të premten.
Mbretëresha Sirikit, bashkëshorte e ndjerit Mbret Bhumibol Adulyadej dhe nëna e mbretit aktual Maha Vajiralongkorn, u shua në Spitalin Chulalongkorn në Bangkok, ku ishte shtruar që prej vitit 2019 për probleme shëndetësore. Raportohet se ajo vuante nga një infeksion në gjak në javët e fundit.
Pas lajmit të ndarjes së saj nga jeta, Mbreti Vajiralongkorn shpalli një periudhë zie njëvjeçare në të gjithë vendin, ndërsa stacionet televizive dhe zyrtarët publikë u shfaqën të veshur me të zeza në shenjë respekti.
Gjatë 66 viteve të martesës me Mbretin Bhumibol, Sirikit u vlerësua si një figurë ikonike e stilit dhe humanizmit, shpesh e krahasuar me ish-Zonjën e Parë të SHBA-së, Jackie Kennedy. Ajo ishte e njohur për angazhimin e saj në mbrojtje të kulturës tajlandeze dhe për mbështetjen e komuniteteve rurale nëpërmjet nismave të shumta sociale.
Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga e gjithë bota. Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, dhe Kryeministri Shehbaz Sharif shprehën “dhimbje të thellë” për humbjen e saj, duke dërguar ngushëllimet e tyre për familjen mbretërore dhe popullin tajlandez.
Vdekja e Mbretëreshës Sirikit shënon fundin e një epoke për monarkinë tajlandeze, pasi ajo ishte një nga figurat më të dashura dhe më të respektuara të vendit për më shumë se gjashtë dekada.
