Për brezat e mëparshëm, puna ka qenë simbol i stabilitetit, zhvillimit profesional dhe suksesit personal. Por për brezin Gen Z, e rinjtë nën 25 vjeç, puna po kthehet në burim ankthi, zhgënjimi dhe lodhjeje.
Sipas ekonomistit Michael Madowitz nga Instituti Roosevelt, tregu i punës për të rinjtë sot është një “bllokim i tmerrshëm”. Procesi i aplikimeve online ka krijuar një konkurrencë të egër, ku për çdo vend pune garojnë qindra kandidatë, ndërsa sistemi i rekrutimit shpesh bazohet tek algoritmet dhe inteligjenca artificiale. Një student nga Columbia, Richard Yoon, tregon se nga 20 intervista që zhvillojnë kolegët e tij, 19 kryhen nga “bots”, jo nga njerëz.
Por edhe për ata që punësohen, sfidat nuk mbarojnë. Shumë të rinj përballen me mungesë mbështetjeje, mikro-menaxhim të tepruar dhe monitorim të vazhdueshëm përmes teknologjive të mbikëqyrjes, të njohura si “bossware”. Një shembull është Stevie Stevens, e cila u largua nga puna e saj në një kompani dizajni për shkak të kontrollit të tepruar dhe mungesës së zhvillimit profesional. Raporte të New York Times tregojnë se shumë kompani monitorojnë çdo lëvizje të punonjësve, duke penalizuar kohën e perceptuar si “joaktive”.
Studimet e fundit tregojnë një fenomen shqetësues: pavarësisht nëse janë të punësuar apo jo, të rinjtë nën 25 vjeç ndihen po aq të pakënaqur dhe të dëshpëruar sa të papunët. Në vitin 2024, kënaqësia nga puna për këtë grup ishte rreth 15 pikë më e ulët se për punonjësit mbi 55 vjeç. Shkak janë presioni i lartë, mungesa e autonomisë dhe ndikimi i teknologjisë në çdo aspekt të jetës profesionale.
Sipas analizës së New York Times, dy faktorë kryesorë që ndikojnë në pakënaqësinë e Gen Z janë:
Pritshmëritë e larta për lumturinë në punë, të ushqyera nga krahasimet në rrjetet sociale.
Degradimi i mjedisit të punës, ku intensiteti dhe mbikëqyrja e çdo veprimi lënë pak hapësirë për autonomi.
Në një treg pune që ngjan gjithnjë e më shumë me një eksperimenti social, brezi Gen Z përballet me një pyetje ekzistenciale: të punosh dhe të sakrifikosh shëndetin mendor apo të zgjedhësh lumturinë personale? Për shumë prej tyre, përgjigjja po bëhet gjithnjë e më e qartë.
